La Liga/ Fitojnë Reali dhe Atletico, Mallorca e Muriqit drejt rënies nga Kategoria
Kanë përfunduar pothuajse të gjitha sfidat e javës së 37-të në La Liga, me përjashtim të duelit Barcelona–Betis, i cili pritet të nisë në “Camp Nou”. Në mbrëmjen e parafundit të kampionatit spanjoll, Real Madrid dhe Atletico Madrid siguruan fitore minimale, ndërsa Mallorca komplikohet ndjeshëm në garën për mbijetesë.
Real Madrid mori tri pikë të rëndësishme në transfertë, duke triumfuar 0-1 ndaj Sevilla. Vendimtar për madrilenët ishte Vinicius Junior, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në pjesën e parë, duke i dhënë skuadrës suksesin në një sfidë të luftuar.
Fitore minimale regjistroi edhe Atletico Madrid, që në shtëpi mposhti 1-0 Girona. Goli që vulosi triumfin e skuadrës madrilene u shënua nga Ademola Lookman, duke i siguruar ekipit tre pikë në prag të mbylljes së sezonit.
Ndërkohë, situata është bërë dramatike për Mallorca-n e Vedat Muriqit. Skuadra u mposht 2-0 nga Levante në një duel direkt për mbijetesën dhe tashmë renditet në vendin e 19-të me 39 pikë, duke i reduktuar ndjeshëm shanset për qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll. Vetëm një kombinim i favorshëm rezultatesh në javën e fundit mund ta mbajë ende ekipin në La Liga.
KOHA JONË SONDAZH

