
Pas një fillimi sezoni të vështirë për shkak të një dëmtimi muskulor, Rafael Leao është rikthyer fuqishëm dhe po konfirmon rolin e tij si lider ofensiv te Milani i Massimiliano Allegri-t. Para kthimit të tij, ishin ngritur dyshime mbi përshtatjen e portugezit në skemën 3-5-2, me Pulisic që luante pas Gimenez në fazën e parë të kampionatit.
Shumë mendonin se Leao nuk do të kishte hapësirë në formacion, por dëmtimi i Pulisic dhe forma e lartë e portugezit e kanë rikthyer atë në qendër të projektit kuqezi. “Jam në dispozicion të ekipit, qoftë si qendërsulmues, trekuartist apo anësor, e rëndësishme është të ndihmoj skuadrën dhe të fitojmë pikë”, tha Leao pas fitores kundër Romës.
Rezultatet e flasin vetë: pas dy paraqitjeve të pjesshme ndaj Napolit dhe Juventusit, Leao u rikthye titullar kundër Fiorentinës, ku shënoi dy gola. Më pas realizoi edhe në barazimin me Pisa-n, ndërsa në sfidën ndaj Atalantës dhuroi një asist vendimtar për Pavloviç.
Duhet kujtuar se edhe më 17 gusht, në Kupën e Italisë kundër Barit, ndeshje që i solli dëmtimin, Leao kishte arritur të shënonte përpara se të detyrohej të largohej nga fusha.
