Liverpooli bën gati ofertën për yllin portugez të Juventusit
E ardhmja e merkatos së verës te Juventus do të varet pothuajse tërësisht nga kualifikimi ose jo në Champions League sezonin e ardhshëm.
Barazimi zhgënjyes në shtëpi ndaj Hellas Verona ka komplikuar objektivin e bardhezinjve, ndërsa rikthimi në garë i Romës ka rritur presionin në javët e fundit të kampionatit. Nëse Juventusi mbetet jashtë Championsit, drejtuesit mund të detyrohen të sakrifikojnë një prej yjeve të skuadrës për të balancuar financat.
Pas emrave si Bremer dhe Kenan Yildiz, tashmë në qendër të merkatos është Francisco Conceicao. Sulmuesi portugez, i konsideruar një nga shtyllat kryesore të skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalletti, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane. Sipas raportimeve, garës për kartonin e tij i është bashkuar edhe Liverpool, që po mendon ta transferojë në Premier League si zëvendësues të Mohamed Salah, i cili pritet të largohet në fund të sezonit.
Drejtuesit e Juventusit nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga Conceiçao, ndërsa edhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të vazhduar në Torino. Megjithatë, një ofertë e konsiderueshme mund të ndryshojë gjithçka.
Klubi italian thuhet se nuk do të pranonte më pak se 70 milionë euro për portugezin, duke pasur parasysh se ka investuar rreth 45 milionë euro për ta blerë përfundimisht nga Porto.
KOHA JONË SONDAZH

