Luis Figo këshillon Realin të blejë Eden Hazard
Luis Figo, këshilltar dhe ambasador i UEFA-s, ka dhënë një intervistë për platformën “DAZN”, ku ish-madrileni ka folur për momentin e Realit të Madridit dhe transferimin e mundshëm të Eden Hazardit te klubi spanjoll.
Portugezit iu kërkua për një këshillë për presidentin Florentino Perez lidhur me blerjen e radhës. “Hazard, pa dyshim. Është një lojtar i madh, një nga më të fortët në këtë moment dhe mendoj se, siç e ka shprehur vetë ai, do i pëlqente të luante me Realin”.
Hazard i skadon kontrata me Çelsin qershorin e 2020-ës. Belgu ka deklaruar në më shumë se një rast ëndrrën e tij për të veshur fanellën e Realit, por 11 tetorin e kaluar hodhi poshtë çdo mundësi për t’u larguar nga “Stamford Bridge” merkaton e ardhshme dimërore.
Figo u pyet edhe për momentin e vështirë që po kalon skuadra e Hulen Lopeteguit. Portugezi shpjegoi se largimi i Kristiano Ronaldos ka ndikuar pa dyshim në rënien e skuadrës: “Është një vit tranzicioni, një situatë të tillë e shoh si normale: kanë humbur një nga lojtarët më të rëndësishme në historinë e futbollit, që garanton shumë gola dhe zhbllokon ndeshjet vendimtare. Reali ka fituar shumë gjatë viteve të fundit, në sport nuk mund të fitosh gjithmonë. /ATA/
KOHA JONË SONDAZH

