Mbledhje “maratonë” te Vllaznia, Cungu konfirmohet trajner. Përgjegjësia u mbetet të larguarve
Analiza e sezonit të shkuar ka marrë pjesën më të madhe të takimit. Në këtë analizë janë diskutuar shumë tema, që nga afrimet e bëra, shpenzimet e kryera, si dhe personat përgjegjës për këto zëra të analizuar.
Vllaznia ka pasur jo pak firo në merkaton e verës. Emra të tillë si Hoxha e Veitzer, të larguar në mes të sezonit, kanë bërë që shpenzimet për këto lojtarë të shkojnë dëm. Po ashtu, është folur edhe për afrimet e lojtarëve të tjerë.
Të gjitha palët kanë dhënë mendimin e tyre, e po ashtu kanë parashtruar edhe gabimet e bëra gjatë sezonit të shkuar. Nga ana tjetër është folur edhe për të ardhmen, ku drejtuesit e klubit dhe stafit teknik kanë marrë një mbështetje maksimale, si në aspektin moral, por edhe financiar për të përballuar me sukses sezonin e ardhshëm.
Në këtë analizë është rikonfirmuar Armando Cungu si trajner i Vllaznisë së edicionit të ri. Në fund të mbledhjes, administratori Astrit Gjyrezi ka dalë para mediave, ku ka sqaruar gjithçka që ka të bëjë me analizën e djeshme dhe të ardhmen.
Gjyrezi, cili është konkluzioni i analizës së gjatë që ka lidhje me Vllazninë e sezonit të shkuar?
Ishte një mbledhje maratonë, një mbledhje në të cilën u diskutua për sezonin e shkuar, por edhe për atë që na pret në kampionatin e ri.
Një mbledhje në të cilën pjesëmarrja ishte e gjerë, që nga kryetarja e bashkisë, kryetari i Këshillit Bashkiak, bordi drejtues i klubit, si dhe përfaqësuesit e Komisionit të Sporteve në bashki. Ishte një analizë për aspektin financiar dhe objektivat sportive, si për ekipin e parë, po ashtu edhe për akademinë.
Njëkohësisht u diskutua edhe për ecurinë e skuadrës së parë të Vllaznisë në sezonin e ri. Si përfundim u lanë detyrat përkatëse për stafin teknik, për drejtuesit e klubit, në mënyrë që të organizohet puna sa më shpejt dhe të nisin përgatitjet për sezonin e ri.
Dua të theksoj se skuadra do të ketë mbështetje maksimale nga Bashkia Shkodër për sezonin e ardhshëm. Gjithashtu, edhe Këshilli Bashkiak dhe Komisioni i Sporteve e kanë mbështetur ekipin në të gjitha drejtimet, ndaj presim që puna të ecë mirë.
A nuk jeni vonë në nisjen e punës për skuadrën e sezonit të ri?
Nuk jemi vonë, pasi kampionati fillon më datë 9 shtator. Vllaznia nuk ishte pjesëmarrëse në Kupat e Europës, ndaj nuk kemi nisur punë. Unë them se jemi në kohë për fillimin e punës për sezonin e ri.
Çfarë kërkoi trajneri Cungu në këtë analizë?
Trajneri Cungu kërkoi mbështetje, e cila nuk i ka munguar trajnerit Cungu dhe klubit Vllaznia, si nga kryebashkiakja, por edhe nga Këshilli Bashkiak Shkodër. Të gjithë nuk e kanë kursyer këtë mbështetje, si ndaj trajnerit, por edhe ndaj bordit drejtues. Kështu që mbështetja do të jetë maksimale edhe në sezonin e ri.
Ku do të gjenden paratë, pasi Vllaznia i ka të bllokuara llogaritë e veta si klub?
Ekziston një problem, por unë do të them se paratë do të gjenden nga Bashkia Shkodër, por edhe Këshilli Bashkiak është shprehur pozitivisht gjatë takimit të sotëm (djeshëm). Ndërsa për bllokimin e llogarive do të them se klubi Vllaznia është në gjyq për një padrejtësi që na është bërë në të shkuarën.
Vazhdon çështja gjyqësore dhe shumë shpejt do të ketë një konkluzion nga gjyqësori për zhbllokimin e llogarive. Do të gjendet zgjidhja ligjore. E rëndësishme është që ne jemi mbledhur dhe kemi vendosur për të organizuar ekipin. Për kontratat e lojtarëve ekzistues e theksoj se baza e ekipit do të jenë sërish shkodranët.
Do të ketë lojtarë nga ekipi i Akademisë U-19. Për ato vende që trajneri dhe drejtori sportiv do të shikojnë se ka nevojë të ndërhyjë në merkato do të bëhet e mundur një gjë e tillë.
Deri ku ka mbërritur çështja “Edon Hasani”?
Çështja “Hasani”, por edhe lojtarë të tjerë që janë në bisedime me klubin Vllaznia, do të sqarohet në ditët në vijim. Për momentin gjithçka është në kuadrin e bisedimeve.
Trajneri Cungu dhe stafi i tij do të vazhdojnë të jenë nën drejtimin e Vllaznisë së sezonit të ri?
Patjetër që puna do të vazhdojë si më parë, duke i besuar të njëjtit staf teknik me në krye trajnerin Aramado Cungu, si dhe drejtorin sportiv. Ishte e domosdoshme një analizë e tillë.
U rikonfirmua mbështetja në të gjitha aspektet nga bashkia dhe tani është momenti që të gjithë të lëvizim për krijimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.
A mbajti kush përgjegjësi për faktin se Vllaznia arriti rezultatin më të dobët në këto pesë vitet e fundit, pasi mbijetesa u sigurua vetëm në takimin e fundit?
Më lejoni të theksoj se, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet deri në momentet e fundit, Vllaznia ishte e barabartë me pikë me vendin e katërt, dhe po ashtu ajo u rendit e barabartë me pikë me vendin e pestë.
Nuk është gjithçka vetëm te Vllaznia. Kemi bërë ndeshje dinjitoze. U morën më shumë pikë në këtë sezon. Te paraqitja kanë influencuar edhe shkaqe të tjera.
A ka marrë kush përgjegjësi për sezonin e shkuar?
Të gjithë kanë bërë analizën e tyre. Nuk mund të them se është një kampionat i dështuar për Vllazninë. Pikë janë marrë më shumë, por edhe ju vetë si gazetarët keni pasqyruar ndeshje shumë të bukura nga ana e skuadrës shkodrane.
Megjithatë, në fund disa lojtarë kanë pasur probleme nga më të ndryshmet, që janë lidhur edhe me mosrinovimin e kontratave të tyre. Mosrinovimi me ata është një pjesë e përgjegjësive.
Ka pasur debate në këtë analizë?
Jo, nuk ka pasur debate. Mbase kishim kohë edhe pa u takuar dhe ishte një takim i përzemërt.
Po për konfliktin mes trajnerit Cungu dhe drejtorit Zekaj, çfarë u bë?
Nuk e di që ka pasur konflikt mes Cungut e Zekës. Ata kanë komunikuar dhe kanë ndarë mendime mes tyre. Mund të them se që nesër e mbrapa do t’i shikoni së bashku në punën në vazhdim për ndërtimin e skuadrës./panoramasport/
KOHA JONË SONDAZH

