Mediat italiane shkruajnë për emërimin e Maran te Shqipëria: Do transmetojë dashurinë për fanellën!

Emërimi i Rolando Maran në krye të Kombëtares shqiptare ka marrë vëmendje të gjerë edhe në Itali, ku mediat sportive dhe agjencitë e lajmeve e kanë trajtuar si një zhvillim të rëndësishëm për trajnerin 62-vjeçar dhe për futbollin shqiptar. Tekniku italian ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij si pasues i Sylvinhos.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Maran ka përcjellë menjëherë emocionet e para pas emërimit, duke theksuar lidhjen që dëshiron të krijojë me Kombëtaren shqiptare dhe rëndësinë e fanellës kuqezi.
Mesazhi i tij , “do të transmetoj dashurinë e madhe për fanellën”, është interpretuar si sinjali i një projekti të bazuar te identiteti, disiplina dhe fryma e grupit.
Mediat sportive italiane,si SportMediaset, Tuttosport dhe Gianlucadimarzio.com, e kanë paraqitur zgjedhjen e Shqipërisë si rikthimin e Maran në skenën ndërkombëtare pas eksperiencës së fundit te Brescia dhe viteve të gjata në Serie A me skuadra si Chievo, Cagliari dhe Genoa. Në raportimet e tyre është vënë theksi te përvoja e gjatë e teknikut italian dhe fakti që ai do të ketë për herë të parë në karrierë drejtimin e një kombëtareje.
Edhe agjencia italiane e lajmeve ANSA i ka kushtuar hapësirë këtij zhvillimi, duke e konsideruar emërimin e Maran një nga lëvizjet më interesante të trajnerëve italianë jashtë vendit në këtë periudhë. Kontrata dyvjeçare shihet si një projekt afatmesëm i Shqipërisë për të ndërtuar një skuadër konkurruese në arenën ndërkombëtare.

KOHA JONË SONDAZH

