Mema kërkon fitoren e parë ndaj Kamzës, Flamurtari-Teuta premtojnë spektakël
Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë, me dy ndeshjet e para të së shtunës, Kamza-Tirana dhe Flamurtari-Teuta. Bardheblutë nuk po arrijnë të gjejnë ekuilibrat gjatë këtij sezoni, por që në prag të ndeshjes së parë të fazës së dytë e shohin veten në vendin e katërt nga fundi, në kuotën e 8 pikëve pas 9 javësh kampionat. Nën drejtimin e Ardi Memës, Tirana debutoi me humbje javën e shkuar të kampionatit, ndërkohë që shumë shpejt pritet kthesa pas ndryshimit të trajnerit Ze Maria, duke nisur ndoshta nga kjo fundjavë. Kamza është gjithashtu një skuadër në vështirësi të mëdha rezultatesh. Pesë ndeshje pa një fitore i kanë çuar kamzalinjtë në vendin e tretë nga fundi, me një pikë më pak sesa Tirana.
Një mundësi e mirë për ekipin nga periferia e kryeqytetit, pasi në përballjen direkte me Tiranën mund të tentojë një goditje të dyfishtë, të parakalojë në renditje bardheblutë dhe të krijojë distancën e dëshiruar me zonën e ftohtë. Për këtë arsye në sfidën e nesërme nuk lejohen gabimet edhe pse trajneri Klodian Duro nuk do të ketë të plotë grupin në dispozicion. Ndërkohë, ndeshja tjetër mes Flamurtarit dhe Teutës është një provë vazhdimësie për të dyja skuadrat, të cilat edhe pse vijnë nga fitoret, ende nuk po arrijnë të mbajnë një ekuilibër rezultatesh. Flamurtari mundi javën e shkuar Tiranën, në një fitore shprese dhe morali.
Dy skuadra që deri më tani kanë ecur në të njëjtën rrugë, 14 pikë kanë në klasifikim, dhe në ekuilibër të plotë është edhe bilanci i rezultateve 4 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Shifrat e golavarazhit konfirmojnë baraspeshën totale, 9 gola kanë realizuar si vlonjatët po ashtu edhe “Djemtë e Detit” teksa kanë pësuar të njëjtën kuotë golash, 7. Një sfidë që duket se i ka ingredientët e duhur për të qenë mjaft interesantë, në fushë ka disa ish lojtarë që do të gjejnë përballë të shkuarën e tyre.
Emiliano Musta, Idriz Batha, Andi Ribaj e Arbër Beqaj në karrierën e tyre kanë veshur edhe fanellën e Teutës, ndërsa në anën tjetër ngjyrat kuqezi të Flamurtarit i kanë provuar Ditmar Bicaj, Gerhard Progni, Lancinet Sidibe, Sekou Camara dhe Arsid Kruja. Një fitore e mundshme e secilës prej skuadrave do të shtonte edhe më shumë motivimin, duke i dhënë një tjetër rrjedhë një sezoni që i sheh si protagonistë të dyja ekipet.
KOHA JONË SONDAZH

