Milani mendon rikthimin e bujshëm të Thiago Silvës
Rikthimi i Thiago Silva te Milani mund të mos jetë më thjesht një hipotezë. Sipas raportimeve të ESPN, drejtuesit kuqezi thuhet se i kanë propozuar mbrojtësit brazilian mundësinë për ta mbyllur karrierën në “San Siro”, me një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027.
41-vjeçari aktualisht është lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij me Porton. Emri i tij ishte lidhur edhe verën e kaluar me një rikthim te Milani, skuadër ku luajti mes viteve 2009 dhe 2012, duke lënë gjurmë të rëndësishme në repartin defensiv.
I lindur në vitin 1984, Thiago Silva vendosi të mos vazhdonte aventurën në Portugali, edhe pse kontrata e tij përfshinte një klauzolë që mundësonte rinovimin automatik për një tjetër sezon. Në rast rikthimi te Milani, qendërmbrojtësi brazilian mund të ribashkohet me trajnerin Massimiliano Allegri, nëse ky i fundit vazhdon të mbetet në stolin e klubit kuqezi.
Megjithatë, vendimi për të ardhmen nuk pritet të merret menjëherë. Sipas të njëjtit burim, Thiago Silva synon fillimisht të shijojë pushimet dhe të ndjekë nga afër Kupën e Botës përmes televizionit, përpara se të përcaktojë hapat e radhës. Nëse zgjedh të mos tërhiqet nga futbolli, Milani konsiderohet destinacioni më i mundshëm.
KOHA JONË SONDAZH

