Milani pëson një tjetër humbje në Seria A, mundet nga Sassuolo
Java e 35-të e Serie A konfirmoi edhe një herë Sassuolo si “makthin” e Milanit. Skuadra kuqezi u mposht 2-0 në transfertë në Mapei Stadium, në një ndeshje që mori drejtim që në minutat e para.
Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 5-të me Domenico Berardi, i cili finalizoi saktë me të majtën pas një asisti të Armand Lauriente. Milani u shfaq i paqartë në fushë, ndërsa portieri Mike Maignan u detyrua të ndërhynte për të shmangur golin e dytë ndaj M’Bala Nzola.
Përpjekjet e skuadrës së drejtuar nga Massimiliano Allegri për të reaguar mbetën sporadike, me Rafael Leão që tentoi të rrezikojë portën kundërshtare. Momenti kyç i takimit erdhi në minutën e 24-t, kur Fikayo Tomori u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Milanin me 10 lojtarë.
Me epërsinë numerike, Sassuolo administroi lojën dhe në fillimin e pjesës së dytë vulosi fitoren. Në minutën e 47-të, pas një kombinimi të bukur me Kristian Thorstvedt, ishte sërish Laurienté që gjeti rrjetën, duke mposhtur për herë të dytë Maignan.
Ndryshimet e Allegrit nuk sollën efekt dhe vendasit e drejtuar nga Fabio Grosso e menaxhuan me qetësi avantazhin deri në fund. Me këtë fitore, Sassuolo ngjitet në kuotën e 49 pikëve, duke arritur Bolognën, ndërsa Milani mbetet në vendnumëro me 67 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

