Nga revolucioni në mbrojtje te ëndrra Nico Paz, Interi bën gati planin e merkatos
Interi ka nisur lëvizjet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, ndërsa trajneri Cristian Chivu ka zhvilluar takimet e para me drejtuesit zikaltër për strategjinë e merkatos verore.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, takimi i zhvilluar në selinë e klubit ka shërbyer për të diskutuar objektivat dhe prioritetet e skuadrës, ndërsa çështja e rinovimit të kontratës së trajnerit rumun pritet të finalizohet javën e ardhshme. Gjithçka duket e orientuar drejt një marrëveshjeje të re deri në vitin 2028, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Në repartin e portës, Inter ka vendosur t’i japë besim maksimal Martínez, i cili pritet të promovohet si portieri i parë i skuadrës. Për këtë arsye, emri i Guglielmo Vicario, i lidhur më herët me zikaltërit, është lënë jashtë planeve. Klubi synon të afrojë vetëm një portier me eksperiencë si alternativë, me Ivan Provedel që shihet si një profil i përshtatshëm.
Në mesfushë, largimi i pritshëm i Davide Frattesi do të detyrojë klubin të ndërhyjë në merkato. I preferuar i Chivu raportohet të jetë Manu Koné, mesfushor që mund të largohet nga AS Roma, edhe pse kërkesa financiare konsiderohet e lartë. Alternativa kryesore mbetet Curtis Jones, i cili vlerësohet si një opsion më ekonomik, por me karakteristika të ndryshme teknike.
Në krahët e mbrojtjes, emri më i përfolur është ai i Marco Palestra, i cili pritet të rikthehet te Atalanta pas një sezoni pozitiv me Cagliari. Inter raportohet se do të tentojë me çdo kusht afrimin e tij, ndërsa një transferim i mundshëm nuk lidhet domosdoshmërisht me largimin e Denzel Dumfries, për të cilin interesimet nga jashtë vazhdojnë. Në mbrojtje priten ndryshime të rëndësishme, me largimet e mundshme të Francesco Acerbi dhe Matteo Darmian.
Mes emrave të monitoruar janë Tarik Muharemović, ndërsa pista për Oumar Solet duket të jetë ftohur. Në listën e drejtorit sportiv Piero Ausilio figurojnë edhe profile prestigjioze si Luka Vušković i Tottenham Hotspur dhe Ronald Araújo i FC Barcelona, edhe pse operacionet konsiderohen të komplikuara financiarisht.
Në repartin ofensiv, emri që ndez imagjinatën e drejtuesve zikaltër është Nico Paz. Talenti argjentinas pritet të rikthehet te Real Madridpas eksperiencës me Como-n nën drejtimin e Cesc Fàbregas.
Gjithçka do të varet nga vendimi i klubit madrilen për të ardhmen e tij, por nëse lojtari nxirret në merkato, Inter është gati të tentojë goditjen e madhe, edhe me mbështetjen e Javier Zanetti, i cili raportohet se ka marrëdhënie të afërta me familjen e lojtarit.
KOHA JONË SONDAZH

