Ngadhënjimi i tangos argjentinase (1978)

Nga Skifter Këlliçi

Kur në qershor stadiumet e Evropës boshatisen, në Argjentinë nis dimri, por një dimër i brishtë, që të sjell ndërmend javët më të bukura të pranverës në Tiranë, ndonëse në qytetin Mar del Plata temperatura shkon nga +8 deri në 0 gradë. Kjo “havá” do të shoqëronte skuadrat që zbritën në stadiumet e Argjentinës, pritëse e këtij botërori.

Por në Shqipëri, pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSH-së, shkas i të cilit u bë Festivali i 11-të i Këngës në RTVSH (dhjetor 1972), nisën spastrimet në fushën e artit dhe kulturës. Pastaj Enver Hoxha e “mprehu shpatën” për goditje edhe në fushat e tjera ekonomike dhe ushtarake, gjë që solli që në “thertoren” e tij të priteshin koka të mëdha deri në Byronë Politike. Për shkak të izolimit, Shqipëria u tkurr edhe më shumë. Edhe një dritare si TV-ja u bë e vockël, vetëm për të parë ndeshje ndërkombëtare të futbollit, midis të cilave edhe të botërorëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por para botërorit argjentinas më 1978, jo të gjitha veprimtaritë sportive transmetoheshin nga TVSH-ja. Kështu, shqiptarët e gjorë iu sulën antenave dhe kanoçeve, me anë të cilave shiheshin sidomos programet jugosllave. Por me siklet. Më thoshte atëherë një shok se, kur për këtë qëllim po përpiqej të rregullonte antenën majë çatisë, familjarët dhe shokët nga dhoma e televizorit i thoshin: ”Hë aty, jo pak djathtas, majtas, poshtë, lart…”. Ai, duke u dridhur nga të ftohtit, e kishte flakur antenën tërë inat mbi një degë të lartë kumbulle dhe bash atë çast kishte dëgjuar nga dhoma fjalët: ”Të lumtë, e rregullove sa s’ka më mirë. Tani po shohim për mrekulli!…”. Çfarë kohësh kemi kaluar gjatë diktaturës komuniste!…

Swiss Digital Mobile Reklama

The political message hidden on the goalposts at the 1978 World Cup |  Soccer | The Guardian

Unë nuk mora pjesë më në komentimet e ndeshjeve të këtij botërori, sepse ndodhesha ende në periudhën e “purifikimit ideor”, për shkak të disa gabimeve për të cilat nuk e shoh të arsyeshme të zgjatem këtu për t’i shpjeguar, por të shkaktuara nga qëndrimi dogmatik dhe keqdashës i Thanas Nanos, ish-drejtor i RTVSH-së, i degdisur pa nam dhe nishan në pension. Vendin tim e kishte zënë një tjetër, të cilin gjatë përshkrimit të botërorëve të ardhshëm do ta mbiquaj, jo pa shpoti, “kryekomentatori”, ndonëse nuk ka ngjashmërinë më të vogël me këtë epitet.

Në këtë botëror u regjistrua një rekord origjinal i të gjithë botërorëve edhe tani — goli më i shpejtë, brenda 44 sekondash, me autor francezin Bernard Lacombe, në takimin Francë-Itali, të cilën azurrët gjithsesi e fituan 2-1. Sikur kjo fitore t’u jepte krahë, ata mundën pastaj Hungarinë 3-1 dhe mposhtën argjentinasit 1-0, duke zënë vendin e parë në grup. Vendin e dytë e zunë argjentinasit.

Si zakonisht në këto mbresa që po rendis për botërorët e futbollit, nuk mungoj të shtoj edhe kujtimet e Martellinit në bisedat që pata me të në Romë.

“Tri fitore, 6 gola të shënuar, dy të pësuar – ky ishte një start që i jepte zemër skuadrës italiane”, – më tha Martellini, i cili ishte ngarkuar të komentonte tërë ndeshjet e skuadrës italiane në këtë botëror, i pasuar nga komentatori tjetër, Bruno Pizzul, që ndiqte me dy kolegë ndeshjet në grupe të të tjerëve.

E vërteta ishte se Italia, ndryshe nga botërori i kaluar, po luante mirë që në grupe e pritej që ta mbante këtë ritëm. Dhe kështu ndodhi. Në grupin e parë gjysmëfinal, pas barazimit të bardhë 0-0 mit gjermano-perëndimorët e Shën (Schön), që në këtë botëror ishte “negativi” i tyre, por në fushë dhe jo në celuloid, Italia mundi Austrinë 1-0, ashtu siç e kishte mundur në botërorin e vitit 1934.

“Nuk e harroj golin e holandezit Haan në takimin me ne, – vazhdoi Martellini, – i dyti dhe i fitores së holandezëve, nga rreth 40 metra. Pas ndeshjes, në një intervistë, e pyeta Zoff-in, asokohe ndër portierët më të mirë të rruzullit tokësor, se si ishte e mundur të pësonte një gol të tillë. Ai m’u përgjigj se topi kishte marrë të prerë dhe se e kishte pasur të vështirë të llogariste çastin kur duhej të kërcente, të paktën për ta prekur e larguar nga porta”.

Ndërkohë zhvillohet edhe takimi RF Gjermane – Austri, që bënin pjesë në të njëjtin grup gjysmëfinal. Italianëve u interesonte të fitonin austriakët, sepse, ndryshe, e kishin të humbur davanë. Holandezëve, duke pasur golaverazh më të mirë, u mjaftonte barazimi. Nga ana tjetër, gjermanët, po të humbiste Italia, edhe barazimi i nxirrte në finale.

“In këtë ndeshje u regjistruan emocione të rralla në historinë e futbollit,” – më tregonte Martellini. – Protagonistë u bënë austriakët. Kur ndeshja mendohej se do të përfundonte në barazim 2-2, golin e fitores për austriakët e shënoi i tmerrshmi Krankl, që me 41 të shtëna në portat kundërshtare në kampionatin austriak, ishte bërë golashënuesi më i mirë i Evropës.

Kjo ishte fitoja e parë e austriakëve ndaj gjermanëve pas 47 vitesh. Austria nuk kishte motiv të fitonte, sepse ishte e mënjanuar, por luajti për prestigj dhe për t’u hakmarrë ndaj pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore, kur thuajse tërë futbollistët e “Ëunderteam-it të famshëm austriak” (skuadra çudi), siç e kam përmendur në këtë cikël, u detyruan të luanin në Botërorin e vitit 1938 në radhët e skuadrës gjermane.

“Kur Krankli shënoi golin e tretë dhe të dytin e tij në këtë ndeshje, mora frymë i lehtësuar, – më shpjegoi Martellini, – sepse ky gol ishte edhe për ne ‘gol i fitores’, ndonëse humbëm 2-1 me holandezët, por mbetëm në vendin e dytë në grup.”

History of the World Cup: 1978 – Argentina finally wins

Holanda do të ndeshej me Argjentinën, e cila kishte mundur në grupin tjetër gjysmëfinal Poloninë 2-0, kishte barazuar me Brazilin 0-0 dhe kishte shpartalluar Perunë 6-0, në një takim që u quajt skandaloz… Dhe kjo për arsye se peruanët u akuzuan se “u hapën portën argjentinasve” dhe u dhanë kështu mundësi atyre të fitonin me këtë rezultat… tenistik. Veçanërisht u akuzua portieri Quiroga, i cili doli që kishte origjinë argjentinase dhe se kishte luajtur edhe me skuadrën “Rosario Central” (apo skuadra tjetër e qytetit) në qytetin argjentinas Rosario, ku edhe po zhvillohej kjo ndeshje. Argjentinasit, falë kësaj fitoreje, me golaverazh më të mirë se brazilianët, arritën “të hidhnin lumin” dhe të ndodheshin në këtë finale të mbuluar me hije dyshimi.

“E kam ndjekur bashkë me shokë këtë ndeshje në TV kur komentonte Bruno Pizzul, – i thashë Martellinit, – dhe, të them të vërtetën, edhe mua ndonjë nga golat që pësoi Quiroga më la përshtypjen se mund të mënjanohej, sido që ai, sa herë që nxirrte topin nga rrjeta, dukej shumë i dëshpëruar në ekranin e televizorit”. Por Martellini vetëm sa vuri buzën në gaz.

Kështu, Italia u ndesh me Brazilin për vendin e tretë dhe Argjentina me Holandën për Kupën e Botës.

“Kjo ishte finale ngushëlluese para finales së tetë viteve të kaluara, aq më tepër që brazilianët ende e kishin të freskët plagën e shkaktuar nga goditja në Botërorin ’74 nga Polonia e Latos, i cili kishte shënuar një gol shembullor.” Siç duket, edhe të inatosur nga mënjanimi për finalen e madhe me Holandën pas fitores së argjentinasve me atë… 6-0, brazilianët fituan 2-1 (golit të Causios iu përgjigjën Nelinho dhe Dirceu) dhe përsëri qenë të tretët në botë.

“Skuadra axurre nuk mund të shkonte më tutje, – më shpjegoi Martellini, – ndonëse nuk qe më poshtë se Brazili”. Por edhe argjentinasit nuk qenë të denjë për një finale, të paktën të përafërt me finalen RF Gjermane – Holandë. Po ashtu edhe “holandezët fluturues” këtë radhë dukeshin me “krahë të prerë”.

“E kuptoj se në një finale botërori nga emocionet mund të shkaktohet mungesë vetëkontrolli që sjell edhe ndërhyrje të rënda, – i thoja Martellinit, që atë ditë komentonte nga stadiumi ‘Monumental’ (apo River Plate) i Buenos Airesit, i përpirë nga 79 mijë shikues. – Por që të shkaktoheshin 54 faulle, nga të cilat 41 nga holandezët, ashtu siç lexoja të nesërmen në ‘La Gazzetta dello Sport’, kjo ishte e pakuptueshme.”

Veç kësaj… lojë opake, e copëzuar, me përshkënditje të rralla si drita e venitur e një fanari që shfaqet dhe zhduket në një det të trazuar, me një horizont të mjegulluar, ku përvijohen të qarta vetëm shifrat 1-0 për argjentinasit pas golit të Kempesit (apo Bertonit më vonë). Dhe ja, katër minuta para mbarimit të ndeshjes, kur anija argjentinase po i afrohet bregut të fitores, holandezi Poortvliet (apo Nanninga) barazon. Jo vetëm kaq: pa pritmas Rensenbrinku rakapjekthi mezi arrin të gjuajë, dhe shtylla e majtë pingule “ndërhyn” dhe shpëton Kempesin me shokë, se ndryshe Kupa e Botës do të kishte marrë udhëtimin drejt “atdheut” të tulipanëve.

On this day in 1978, Argentina win the World Cup for the first time. They  got the 3-1 win vs. Netherlands! 🇦🇷

Vjen kështu shtesa e lojës. Ashtu si më 1966 në Londër në takimin Angli – RF Gjermane dhe më 1934 në takimin Itali – Çekosllovaki në Romë. Sipas traditës fitojnë vendasit. Dhe kështu ndodh. “Mushkëritë” e holandezëve nuk ngopen dot me oksigjen. E kundërta ndodh me argjentinasit, që kanë një mesatare moshë më të re kundrejt holandezëve më të vjetër në moshë. Shënon Bertoni, ashtu siç kishte parandier, dhe pastaj Kempesi, pa dyshim nga më të mirët e kampionatit.

(In janar të vitit 1997, ky Kempes erdhi në Shqipëri dhe deri në mars të vitit të ardhshëm drejtoi Lushnjën, në periudhën e shkëlqimit të rremë dhe marramendës të piramidave që solli pasoja aq tragjike për shqiptarët. Erdhi dhe u zhduk shpejt në ato ditë ku mund të shkonte njëmend për… dhjamë qeni).

Kështu, Argjentina vuri në kokë kurorën e kampiones. Holanda mbeti përsëri e dyta.

“Ky qe ndër botërorët më të dobët teknikisht që kam parë deri tani, – më tha Martellini gjatë bisedës. – Shumë larg finales së Mynihut, sepse edhe Holanda ishte shumë larg skuadrës së Cruyff-it dhe futbollit total”.

Në këtë botëror të zhvilluar në Amerikën Latine, fitoi përsëri një skuadër e këtij kontinenti: më 1930 dhe 1950 – Uruguai, më 1962 dhe 1970 – Brazili. Dhe po t’u shtojmë këtyre shifrave edhe fitoren e Brazili në Suedi më 1958, bilanci ishte 6-5 për latino-amerikanët. Por këtë radhë, nën petkun e kampionëve të botës, Argjentina e zhveshi futbollin nga finesa dhe zhonglimi i tepruar. Kampionia fitoi duke u mbështetur te loja kolektive, me ritëm të lartë, me tipare të përafërta me lojën e evropianëve. Planeti i futbollit, pasi ishte pushtuar tri herë nga samba braziliane, tani do t’i mbante “ison” tangos argjentinase.

Tabela e rezultateve të fazës finale:

Gjysmëfinalet

Gr I

Itali – RF Gjermane  0-0

Holandë – Austri   5-1

RF Gjermane – Holandë  2-2

Itali –  Austri  1-0

Holandë- Itali  2-1

Austri – RF Gjermane  3-2

Renditja: Holanda 6 pikë,I talia,5 pikë, RF Gjermane 2 pikë.Austria 2 pikë

 

Gr II

Brazil – Peru  3-0

Argjentinë – Poloni  2-0

Argjentinë – Brazil  0-0

Brazil-Poloni  3-1

Argjentinë –Peru  6-0

Renditja: Argjentina 6 pikë,Brazili 5 pikë,Polonia 2 pikë,Peruja 0 pikë

 

Per vendin e tretë

Brazil-Itali  2-1

Finalja

Argjentina-Holanda  3-1,(më shtesë (1-0,1-1)

 

Argjentina

Filiol, Olguin, Galvan,Pasarela, Tarantini, Ardiles, (Larosa),Galiego, Kempes, Luke, Bertoni Ortis, (Hauzman)

Holanda

Jongblod, Poortvil, Krol, Neeskens ,Brands, Hansen, (Zyrbir), Hahn. V.Van Kerkof, Rep, Naninga, .

Golashënuesi më i mirë i botërorit- Kempes,(Argjentinë) – 6 gola

10-Minute Match: Argentina v Netherlands, FIFA World Cup FINAL 1978

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?