FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Parulla raciste në stadium, FSHF do të ndëshkojë Partizanin

Është futboll, është festë! Pak rëndësi ka kush fiton, rëndësi ka atmosfera, futbolli i bukur dhe tribunat plot.

Thënë këtë, çdo gjë që është jashtë këtij spektri, nuk i përket futbollit. Aq më tepër ajo parullë e turpshme e hapur dje në stadiumin “Selman Stërmasi”, që ishte plot gjuhë urrejtjeje dhe raciste kundrejt fqinjëve grekë dhe që kërkonte të evokonte vrasjen e ndodhur në fshatin Bularat, ku mbeti i vrarë nga forcat Renea pasi kishte hapur zjarr ndaj tyre, terroristi Kostantinos Kaçifas.

Mesazhi i hapur në fillimin e ndeshjes u hoq me shpejtësi po nga tifozë të tjerë të Partizanit, të cilët nuk ishin dakord me të, por jehona e bërë ishte e madhe dhe natyrisht që lë shije të hidhur. Të parët që kanë reaguar kundër këtij mesazhi ka qenë tifogrupi i Partizanit, “Ultras Guerrils”, të cilët kanë dashur të sqarojnë se nuk janë përgjegjës për të.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sqarojmë se tifozëria e organizuar e Partizanit dhe grupimi Ultras Guerrils nuk ka lidhje me parulla raciste të shfaqura nga individë në stadium. Nuk i mbështesim parulla të tilla që na barazojnë me nivelin e një ekstremisti.

Swiss Digital Mobile Reklama

I bëjmë thirrje mediave të promovojnë koreografitë dhe elementët pozitivë e mos të instrumentalizojnë parulla të tilla që nuk përfaqësojnë qëndrimin e tifozërisë së kuqe”. Pak më pas ka qenë klubi i Partizanit që ka thënë fjalën e tij.

“Falë masave të marra organizative, takimi Partizani-Skënderbeu rezultoi një festë e vërtetë sportive e denjë për një ndeshje vitrinë të kampionatit tonë. Njëkohësisht dëshirojmë të distancohemi nga episodet sporadike (rasti i banderolës), të cilat nuk kanë lidhje me eventin sportiv, dhe bien ndesh me politikat Fair-Play të Klubit.

Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo të krijojë përçarje mes tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozërinë e kuqe, e cila me pjesëmarrjen e saj masive, në këtë ndeshje, këngët dhe përkrahjen e fuqishme përgjatë gjithë takimit, dhuruan një atmosferë të mrekullueshme”,-shkruhej në njoftimin e klubit, që ka thumbuar njëkohësisht dhe klubin e Skënderbeut, pasi ndeshja e parë e zhvilluar në Korçë kaloi në kaos për shkak të mungesës së organizimit nga ana e klubit pritës.

Por në mbrëmjen e djeshme ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që i është bashkuar korit kundër mesazhit racist dhe ka kërcënuar Partizanin me një dënim të mundshëm.

“Duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij rasti të rrezikshëm për imazhin e futbollit, i sigurojmë të gjithë se do të merren të gjitha masat përkatëse që raste të tilla skenarësh dritëshkurtra jo vetëm të mos kalojnë pa u ndëshkuar, por kurrsesi të mos përsëriten e të mos njollosin imazhin e lojës së futbollit.

Duke theksuar se mbetet në përgjegjësinë e klubit parandalimi i këtyre incidenteve, në rastin aktual i klubit Partizani, bëjmë me dije se komisionet juridike pranë FSHF-së do të mblidhen në mënyrë urgjente dhe do të shqyrtojnë të gjithë incidentin për të vijuar me masat përkatëse”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?