Pirlo: Ronaldo do të jetë me ne nesër, Dybala ka probleme fizike
Juventusi do të kërkojë nesër rikthimin te fitorja në Seria A, teksa do të luajë në transfertë ndaj Spezias. Trajneri Andrea Pirlo doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp ku foli për gjendjen në klubin bardhezi.
“Ronaldo? Ka dalë negative në dy tamponë radhazi dhe sot është stërvitur i diferencuar. Ka punuar edhe në shtëpi, por nuk është e njëjta gjë si në fushë. Megjithatë nesër do të udhëtojë me skuadrën. Nuk besoj se do luajë nga fillimi.
Rikuperimi i De Ligt po ecën shumë mirë, por ortopedi vendosi që të qëndrojë edhe një javë pushim për të mos rrezikuar asgjë. Bonucci dje u stërvit i diferencuar, ndërsa sot me grupin, ndaj do të jetë gati për ndeshjen ndaj Spezias. Ndërkohë Chiellini nuk është grumbulluar, pasi është mirë, por vijon procesin e rikuperimit të plotë.
Spezia është një skuadër e ngjitur rishtazi në Serinë A dhe do të synojë të grumbullojë sa më shumë pikë, për të qëndruar gjatë këtu. Njoh mjaft mirë trajnerin e Spezias, pasi kemi bërë kursin bashkë dhe e di se çfarë skuadre dëshiron të hedhë në fushë.
Na mungon pak soliditet në rikuperimin e topave, ndonëse vijojmë të jemi skuadra me mbrojtjen e dytë më të mirë pas Napolit. Duam të luajmë një futboll ofensiv dhe imponues, gjë që ka edhe riskun të lësh disa hapësira më shumë, por besoj se jemi në rrugën e duhur për t’u përmirësuar.
Dybala ka thjesht një problem fizik. Ka qëndruar jashtë fushave për 100 ditë dhe ishte diçka e pritshme. Kur kthehesh nga dëmtime të tilla, ndeshjen e parë e luan gjithmonë me entuziazëm, por më pas ndjen një lodhje që është normale dhe kalon me 4-5 ndeshje radhazi”, deklaroi Pirlo.
KOHA JONË SONDAZH

