Polemika në Gjermani pas eliminimit të Bayern, Ballack ngre dyshime: Dukej sikur po ndikohej te ndeshja!
Eliminimi i Bayernit nga PSG në gjysmëfinalen e Champions League vazhdon të shkaktojë debat të madh në Gjermani. Në qendër të polemikave është vendosur arbitrimi i ndeshjes së kthimit, i cili është kritikuar ashpër nga ish-lojtarë dhe analistë sportivë gjermanë.
Një nga reagimet më të forta erdhi nga Michael Ballack. Ish-mesfushori i kombëtares gjermane, në një intervistë për DAZN, vuri në dyshim disa vendime të arbitrave, veçanërisht episodin që përfshinte Nuno Mendes.
Sipas Ballack, lojtari i PSG-së duhej të ndëshkohej me karton të dytë të verdhë, çka do ta linte skuadrën franceze me një lojtar më pak në fushë.
“Ishte një situatë që ndryshoi ndeshjen. Është hera e parë që shoh arbitrin e katërt të ndërhyjë në një episod të tillë”, deklaroi Ballack.
Ai shkoi edhe më tej me komentet e tij, duke lënë të kuptohet se kishte pasur një tendencë për të shmangur ndëshkimin ndaj PSG-së.
“Kam pasur ndjesinë se nuk donin të jepnin kartonin e dytë të verdhë. Kjo është përshtypja ime si spektator dhe po e them shumë qartë”, shtoi ish-kapiteni i Gjermanisë.
Ballack ngriti dyshime edhe mbi interpretimin e përgjithshëm të arbitrimit gjatë ndeshjes: “Ndonjëherë duket sikur tentohet të ndikohet rrjedha e një ndeshjeje. Nuk po akuzoj askënd drejtpërdrejt, por ajo situatë nuk e justifikonte atë vendim”.
Deklaratat e tij kanë ndezur edhe më shumë debatin në mediat gjermane. E përditshmja Bild madje foli për “dyshime komploti kundër Bayern-it”, duke iu referuar komenteve të ish-mesfushorit bavarez.
KOHA JONË SONDAZH

