Procesi i licensimeve për Kategorinë e Parë, Gjini: Kemi rritur kërkesat për kriterin infrastrukturor
Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur prej javësh procesin e licensimit për sezonin 2020-2021, proces i cili përfshin klubet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë, ekipet e moshave kandidate për pjesëmarrje në UEFA Youth Champions League dhe klubet e femrave kandidate për pjesëmarrje në UEFA Women’s Champions League.
I gjithë procesi përmbledh brenda vetes shumë kritere dhe procese të cilat duhet të përmbushen në kohë sipas përcaktimeve të parashikuara nga Sektori i Licensimeve në FSHF.
Në këtë kuadër, Menaxheri i Licensimit, ka kryer sot një workshop me klubet e Kategorisë së Parë, si pjesë shumë e rëndësishme e procesit. Klubet kanë kritere të përcaktuara qartë, si ai sportiv, infrastrukturor, i administratës dhe personelit, ligjor e financiar.
“Pasi përfunduam së bashku me UEFA-n workshopin me klubet e Kategorisë Superiore, klubet kandidate për të luajtur në kompeticionet europiane, sot zhvilluam një workshop me të gjithë skuadrat e Kategorisë së Parë të cilat duan të marrin pjesë në kampionatin e sezonit të ardhshëm. Natyrisht sipas rregullores, dy nga këto skuadra do të kalojnë menjëherë në Kategorinë Superiore, por duhet të përmbushin disa kritere më shumë për të qënë pjesë e Superiores.
Ne sot kemi workshop-in vetëm për skuadrat e Kategorisë së Parë, për mënyrën sesi klubet do të plotësojnë të pesë kriteret, kriterin sportiv, kriterin e infrastrukturës, kriterin e administratës dhe personelin, kriterin ligjor dhe kriterin financiar. Për stadiumet e Kategorisë së Parë ne kemi filluar të rrisim kërkesat në mënyrë që kërkesa e këtyre stadiumeve të përmirësohet.
Në 31 Mars përfundon procesi i plotësimit të gjithë dokumentacionit që duhet të paraqesin përpara Sektorit të Licensimit. Të gjithë dokumentet do i kalojnë ekspertëve përkatës. Ekspertët do të përpilojnë raporte të veçanta për secilin klub dhe do të vendosin në dukje aspektet pozitive dhe ato negative, duke nënvizuar nëse ky klub e meriton dhe e merr apo jo licensën për të marrë pjesë në kompeticionin e Federatës Shqiptare të Futbollit”.
KOHA JONË SONDAZH

