Rafa Leao drejt largimit, Milani gati të pranojë oferta 50-60 milionë euro
E ardhmja e Rafael Leao te Milani duket më e pasigurt se kurrë, ndërsa ndeshja e së dielës ndaj Cagliari Calcio mund të shndërrohet në paraqitjen e fundit të sulmuesit portugez në San Siro me fanellën kuqezi.
Një skenar i tillë do të ishte i vështirë të imagjinohej vetëm pak vite më parë, sidomos pas sezonit triumfues ku Leao ishte një nga protagonistët kryesorë në fitimin e titullit kampion. Marrëdhënia e tij me tifozët e Milanit dukej e fortë dhe e destinuar të zgjaste, falë shpërthimeve të tij në fushë, golave vendimtarë dhe aftësisë për të ndryshuar ritmin e lojës.
Megjithatë, me kalimin e kohës, entuziazmi fillestar është zbehur. Paraqitjet e portugezit janë shoqëruar me kritika për mungesë vazhdimësie, ndërsa shpesh është akuzuar se zhduket në momentet më të rëndësishme të sezonit. Edhe statistikat kanë ndikuar në këtë perceptim: pas 16 golave të realizuar në sezonin 2022/23, rendimenti ofensiv ka pësuar rënie, duke u ndalur aktualisht në 10 gola. Goli i tij i fundit në Serie A daton më 1 mars, në transfertën ndaj Cremonese.
Në javët e fundit, konkurrenca në repartin ofensiv është rritur, me Christopher Nkunku që sipas raportimeve ka fituar terren në hierarkinë e trajnerit falë paraqitjeve bindëse dhe golave me peshë, duke u kandiduar seriozisht për një vend titullari në sfidën e fundit të sezonit.
Sipas të përditshmes sportive italiane Tuttosport, e ardhmja e Leaos mbetet e hapur. Në kontratën e tij ekziston ende një klauzolë largimi prej 175 milionë eurosh, por vlera reale e lojtarit në treg konsiderohet dukshëm më e ulët. Milani thuhet se do të shqyrtonte oferta mbi 50–60 milionë euro, veçanërisht nëse ato vijnë nga klube të mëdha europiane.
KOHA JONË SONDAZH

