Rafa Leao mohon përfshirjen në hetimin për skandalin e eskortës në Milano
Emri i Rafael Leao është përfshirë së fundmi në një hetim të Prokurorisë së Milanos, që lidhet me një agjenci eventesh të quajtur MA.DE, e dyshuar për aktivitete të paligjshme, përfshirë shfrytëzim dhe favorizim prostitucioni.
Sipas raportimeve të para në mediat italiane, disa futbollistë të Serie A, mes tyre edhe sulmuesi i Milanit, dyshohej se kishin përfituar nga shërbime të paligjshme pas eventeve të organizuara në jetën e natës në Milano.
Megjithatë, Leao ka reaguar menjëherë duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai deklaroi: “Emri im, si i disa futbollistëve të tjerë, është përmendur në lidhje me një hetim të Prokurorisë së Milanos. Dua të sqaroj qartë se jam plotësisht i huaj ndaj këtyre fakteve. Nuk jam i përfshirë dhe nuk kam kryer asnjë shkelje”.
Sulmuesi portugez theksoi gjithashtu se nuk do të tolerojë përdorimin e emrit të tij në mënyrë të pabazuar: “Ftoj të gjithë të shmangin lidhjen e emrit tim me këtë situatë në mënyrë arbitrare apo sipërfaqësore. Para se të jemi futbollistë, jemi njerëz me familje dhe reputacion”.
Në fund, Leao paralajmëroi se ka autorizuar përfaqësuesit e tij ligjorë të ndërmarrin veprime kundër çdo publikimi që dëmton imazhin e tij, duke kërkuar mbrojtje në çdo instancë ligjore ndaj lajmeve të rreme.
KOHA JONË SONDAZH

