Real Madrid dhe City fitojnë sërish dhe kalojnë në çerekfinalet e Championsit (VIDEO)
Real Madrid dhe Manchester City siguruan me lehtësi një biletë për në fazën çerekfinale të Champions League. Skuadra e Zidane fitoi 3-1 duelin e kthimit, duke kaluar në fazën tjetër me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Bergamaskët shfaqën një lojë kaotike, duke mos arritur asnjëherë në lojën e tyre. Në minutën e 34-t, Sportiello i dhuroi topin Modric, i cili shërbeu asistin për Benzeman. Francezi nuk fali në zonë.
Reali do të dyfishonte shifrat ndaj Atalantës në fillimin e pjesës së dytë, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Vinicius fiton një penallti në minutën e 60-të, që do të kthehej në gol nga kapiteni Sergio Ramos. 7 minuta nga fundi Muriel rihapi sfidën me një gol të bukur nga goditja e dënimit, po pak sekonda më pas madrilenët ju kundërpërgjigjën me Asension.
Manchester City ashtu si në ndeshjen e parë, edhe sonte fituan me rezultatin 2-0. De Bruyne në minutën e 12-të dhe Gundogan 6 minuta më pas ishin dy autorët e golave. Skuadra e Guardiolës kurseu energjitë në minutat në vijim. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

