Rrëfim 360 gradë i Ronaldos: Te Juvja nuk erdha për para
Në një intervistë për revistën franceze “France Football” që është edhe krijuesja e Topit të Artë, ylli portugez ka treguar për herë të parë arsyet e largimit të tij nga Reali i Madridit. Fajtori kryesor i largimit të CR7-ës nga Los Blancos ka qenë presidenti Florentino Perez.
“E ndjeva ftohjen nga brenda klubit,veçanërisht nga presidenti, se nuk më konsideronin me të njëjtën mënyrë, sikurse bënë në fillim. Në katër apo pesë vitet e para atje, kisha ndjenjën se jam “Cristiano Ronaldo”. Më pas gjërat dryshuan disi, pak e nga pak.Presidenti nuk më vështronte në sy, sikur nuk isha më i domosdoshëm për ta. Besoj e kuptoni se çfarë dua të them me këtë. Kjo situatë më bëri të mendoj largimin. Ndonjëherë shtyhesha më tepër në këtë drejtim, kur lexoja lajmet, në të cilat drejtuesit thoshin se po kërkoja të largohesha. Kishte pak deklarata të tilla, por e vërteta është se gjithmonë kam pasur përshtypjen se presidenti nuk donte të më mbante si më parë”.
Por përse zgjodhi Juventusin dhe jo klub tjetër, edhe në këtë rast Ronaldo ka patur arsyet e tij, pasi te bardhezinjtë është ndierë i vlerësuar që në momentin e parë. “Nëse do të kishte qenë në lidhje me paratë, do të shkoja në Kinë, ku do të kisha fituar pesë herë më shumë se këtu, te Juventusi, ose te Real Madridi. Unë nuk kalova te Juve për paratë. Kam fituar të njëjtën shumë edhe në Madrid, madje dhe më shumë. Dallimi është se, te Juve, me të vërtetë më donin mua. Ata ma thanë dhe ma bënë të qartë këtë”.
Të gjithë mendojnë se largimi i trajnerit Zidane ndikoi në vendimin e Ronaldos për të lënë Realin por portugezi nuk mendon kështu. “Vendimi im për t’u larguar nuk ishte i lidhur me largimin e tij. Duke qenë kështu, është një nga ato gjëra të vogla, që më bënë të ndihem pak më mirë në lidhje me atë që mendova për situatën në klub”.
5 Topa të Artë nuk janë pak por një lojtari CR7 nuk ngopet asnjëherë me trofe. “Unë mendoj se e meritoj atë edhe këtë vit. Po ëndërroj ta fitoj “Topin e Artë” për herë të gjashtë, duke e kaluar në këtë rast Lionel Messin”.
KOHA JONË SONDAZH

