Sfida, kush thyen hegjemoninë e dyshes Messi-CR7
Cristiano Ronaldo mori në Paris për herë të pestë trofeun ”Topi i Artë”, dhe barazoi kundërshtarin e tij, Messin me 5 topa të artë. Por, mediet kanë shtuar pyetjen se kush do të thyejë hegjemoninë e dyshes Messi-CR7?
Që nga viti 2008, “Topin e Artë” e kanë fituar vetëm Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë hegjemonët e futbollit, të pamposhtshëm për një dekadë. Ka pasur sezone kur nuk e kanë fituar Ligën e Kampionëve, por as kjo nuk ua ka hequr nga duart trofeun. Pse? Epo, janë thjesht më të mirët! Sidoqoftë, ju servirim një listë me lojtarët të cilët mund t’i rrëzojnë shumë shpejt nga froni.
Neymar është i pari pas dyshes Messi-Ronaldo, ashtu si sivjet në renditjen e më të mirëve të revistës “France Football”. Braziliani është transferuar për 222 milionë euro te PSG-ja, shifër rekord, që tregon se po flasim për një yll të jashtëzakonshëm të futbollit. 25-vjeçari nuk i ka barazuar kurrë me gola dy të lartpërmendurit, por aftësitë e tij teknike janë të nivelit më të lartë.
Antoine Griezmann mund të shkruajë historinë. Sot ai nuk është qendër të vëmendjes, por një Kupë Bote me Francën do ta çonte në një nivel krejt tjetër. Natyrisht, sulmuesi duhet të largohet nga Atletico Madrid, sepse loja mbrojtëse e bardhekuqve nuk e lejon të shprehë gjithçka nga vetja. Nëse doni gola, telefonojeni!
Isco është një tjetër kandidat për të marrë fronin e më të mirit. Sivjet, mesfushori ka qenë më i miri te Real Madridi. Duke shtuar edhe performancat e mira me kombëtaren e Spanjës, ish-ylli i Malagës mund të kthehet në imazhin e futbollit iberik. Sa shanse ka për t’u bërë numri 1? Mjaftueshëm, edhe pse nuk është ai lloj lojtari i cili shënon gola pafund. Ndoshta “Topi i Artë” një ditë do t’i jepet një magjistari.
Kevin de Bruyne, mbajeni mend mirë këtë emër! Njihet, njihet, por po flasim për synime të mëdha. Mesfushori belg aktualisht luan te Manchester City, aty ku është shndërruar në një “përbindësh”. Me golat nuk i ka marrëdhëniet mirë, por kur shënon zgjedh të dhurojë spektakël. Ai ka luajtur më parë te Chelsea dhe Wolfsburg, kështu që përvoja nuk i mungon. Sigurisht, varet edhe nga suksesi i skuadrës.
Kylian Mbappe mund të renditej edhe më lart, por le të presim. Ai është ende një adoleshent. Sulmuesi francez verën e ardhshme do të blihet për 180 milionë euro nga PSG-ja. A nuk ju mjafton ky si argument? Pra, po flasim për një lojtar fantastik, i aftë për të shënuar nga çdo pozicion. Ai i bie shkurt: driblon, por jo edhe aq sa për ta tepruar në një aksion goli. Mbappe është edhe më shumë se Thierry Henry.
Eden Hazard ka teknikë, klas, fuqi, gjuajtje, driblim… gjithçka. Rrallë shënon me kokë, por këtë nuk e bën as Messi, apo jo? Belgu është quajtur prej disa vitesh pasardhës i dyshes Messi-Ronaldo. Ai ka bërë gjithçka mirë te Chelsea, edhe pse jo në mënyrë konstante, duke u bërë lider i skuadrës dhe një lojtar që ndikon në rezultatin e ndeshjes edhe me një lëvizje të vetme.
KOHA JONË SONDAZH

