Shahistët e rinj shqiptarë kthehen me 4 medalje nga turneu ndërkombëtar
Medalistët: në mes Alket Caushi, (Argjend), djathtas Aleks Kote, (Argjend) dhe majtas Adrian Guri, (Bronz).
Mbylli siparin të hënën, “Mladinski Open Turnir – Lasker 2017” ku garuan 81 të rinj e të reja nga Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria dhe Serbia, mosha U-8- U-18 vjeç, djem e vajza. Fitues i Turneut u shpall 18-vjeçari Filip Mihov (MKD) 2185 ELO.
“Sa i përket shahistëve nga Shqipëria, 3 vajza dhe 7 djem, thuajse të gjithë bënë një figurë të mirë si për pikët e grumbulluara, renditjen ashtu edhe për përmirësimin e rejtingut personal ELO, njoftoi instruktori kombëtar i FIDE, Arian Bllaca.
“U dallua veçanërisht Alket Caushi, i cili në përfundim u rendit në vendin e 7-të me 5 pikë ndër 7 të mundeshme duke fituar edhe Medaljen e Argjendit për moshën U-16,- vërejti ai. – Me 4,5 pikë në 7 takime,10-vjeçari Adrian Guri, i renditur në vendin e 19-të në klasifikimin e përgjithshëm, meritoi Medaljen e Bronzit për moshën U-10. Guri përmirësoi me 44 njësi, rejtingun e tij personal.
Medalja e Argjendit për moshën U-8 i takoi shahistit Aleks Kote, i cili ndonëse në moshë ende të vogël, u rendit në pjesën superiore të tabelës ( 33 ndër 81 pjesëmarrës) duke përmirësuar rejtingun personal me 20 njësi.
Me obiektiva të realizuara përfundoi garën edhe 11-vjeçarja e talentuar Elisa Isufi, e cila me performancën e saj përmirësoi përsëri me 25 njësi ELO, rejtingun personal, duke treguar mbas çdo gare, pjekuri të admirueshme gjithmonë e në rritje.
Me 18 njësi ELO, përmirësim në rejting personal dhe renditje në vendin e 18-të, Klea Balla (U-18) bëri gjithashtu një garë të pëlqyeshme. Ajo madje u rendit e treta nga vajzat në klasifikim duke merituar Medalje Bronzi.
Fjalë të mira meriton edhe 9-vjeçari Ergit Ramaj (U-10) i cili me lojërat e tij u bë pengesë serioze për çdo kundërshtar, pavarësisht nga diferencat e ndjeshme në moshë me rivalët. 3 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, jo keq për një 9-vjeçar, i cili përmirësoi gjithashtu rejtingun e tij me 19 njësi.
Performancë pozitive realizoi edhe 12- vjeçari Albion Qolje, i cili u rendit edhe ky në pjesën superiore të tabelës, madje duke përmirësuar me 35 njësi, rejtingun personal.
Ishte një kënaqësi që në pjesën përmbyllëse të këtij turneu, të ndodhesha , të ndiqja dhe të ndaja me ta, trajnerin Ramaj dhe të pranishmit e tjerë shoqërues, kënaqësinë legjitime të shahistëve shqiptarë pjesëmarrës për rezultatet e tyre mjaft pozitive. Një eksperiencë e veçantë, të cilën do ta kujtoj gjatë,” përfundoi Bllaca.
KOHA JONË SONDAZH



