Simeone habit pas eliminimit: Komplimente Arsenalit, jam i lumtur për Artetën!

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone ka shprehur zhgënjimin për elimiminim në gjysmëfinalen ndaj Arsenalit.  Tekniku argjentinas theksoi mungesën e konkretizimit në momentet kyçe si arsye kryesore të eliminimit.

“Nuk ishim konkretë në momentet vendimtare, siç jemi zakonisht. Në ndeshjen e parë, sidomos në pjesën e dytë, luajtëm shumë mirë, por nuk arritëm të gjenim golin e avantazhit 2-1. Edhe sot, në pjesën e dytë, bëmë një paraqitje të mirë ndaj një skuadre shumë të fortë, me fuqi ekonomike dhe teknike ndryshe nga ne. Megjithatë, luftuam në mënyrë të jashtëzakonshme, me forcën dhe entuziazmin tonë”, u shpreh Simeone.

Ai preku edhe çështjen e arbitrimit, por pa krijuar polemika: “Në këtë moment nuk ka rëndësi. Mund të flasim për një penallti ndaj Griezmann dhe një episod të ngjashëm në ndeshjen e parë që nuk u akordua. Në futboll ndodhin këto gjëra, arbitrat mund të gabojnë pro ose kundër. Këtë herë ndoshta nuk ishim të favorizuar”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pavarësisht zhgënjimit, Simeone ruajti ekuilibrin në analizë: “Ka zhgënjim, por rrugëtimi ynë ishte shumë i mirë. Ka mënyra të ndryshme për të humbur dhe unë nuk kam asgjë për t’u thënë lojtarëve. Nuk mund të bënim shumë më tepër. Arritëm deri në gjysmëfinale dhe pak kush e priste këtë”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fund, trajneri i Atleticos nuk kurseu vlerësimet për kundërshtarin dhe kolegun Mikel Arteta: “I përgëzoj për punën që kanë bërë. Arsenali ka ndërtuar këtë nivel prej kohësh dhe Arteta po bën një punë të jashtëzakonshme. Jam i lumtur për ta, edhe pse i zhgënjyer për ne”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?