Skënderbeu-Partizani i Beogradit, 130 mijë ”arsye” për fitore
Skënderbeu pret Partizanin e Beogradit për të zhvilluar ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Europa League. Skuadra serbe erdhi në Shqipëri me objektivin për të marrë 3 pikët ndaj Skënderbeut, edhe pse nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj, pasi nuk do të jenë në stadium pas marrëveshjes së arritur mes dy klubeve.
Kjo përballje ka marrë një rëndësi kaq të madhe, sa për futbollistët është përcaktuar një shpërblim prej 130 mijë eurosh në rast fitoreje ndaj skuadrës së Ilir Dajës. Sfida me Skënderbeun është vlerësuar në maksimum nga trajneri i Partizanit të Beogradit, Miroslav Djukiç, sipas të cilit është përcaktuese edhe për fatet e grupit B.
“Është një ndeshje me shumë peshë, pasi do të shohim sesi do të jetë situata e grupit. Nuk do të jetë e lehtë të fitojmë të dyja ndeshjet ndaj Skënderbeut, por në Elbasan do të shkojmë për të marrë fitoren. Në këtë përballje do të hedhim në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Duhet të mendojmë pozitivisht, të jemi të përqëndruar gjatë të gjithë kohës dhe të luajmë pa frikë”, tha Djukiç para se të nisej nga Beogradi.
Vlen të kujtohet se, Skënderbeu përballet për herë të parë me Partizanin e Beogradit, në arenën europiane, por edhe me një skuadër serbe në përgjithësi. Sfida do të luhet ditën e enjte, në orën 21:05, në “Elbasan Arena”.
Policia publikon masat e marra
Policia ka publikuar masat e marrë për mbarëvajtjen normale të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në “Elbasan Arena” në orën 21:05.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se më shumë se do të angazhohen 221 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet, Stacionet Policore vartëse të saj, si dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja”.
Nga ora 17:00 e ditës së enjte nuk do të lejohet parkimi i mjeteve përreth dhe para sheshit të stadiumit “Elbasan Arena”. Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” me rrugën “Kamber Sejdini” deri në dalje në unazë. Nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa ” deri në dalje në unazë do të jetë për parkimin e mjeteve të tifozëve vendas. Do të bllokohet rruga “Kamber Sejdini” nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Do të bllokohet Bulevardi “Aqif Pasha” nga Stadiumi deri tek Kryqëzimi I Shatërvanit nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja e mjeteve. Lëvizja e mjeteve do të bëhet nëpërmjet Unazës të qytetit.
Aksi rrugor nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservim deri në dalje në unazë për në 5 Maj, në drejtim të Spitalit do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.
Policia i kërkon administratorëve të bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të Stadiumit nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes , të tregohen mirëkuptues duke mbyllur aktivitetet e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

