Spalletti: Unë jam përgjegjësi i parë për këtë disfatë, jo lojtarët

Pas humbjes së rëndë në shtëpi ndaj Fiorentinës, që një javë para fundit e nxori Juventusin jashtë zonës së Champions League, trajneri bardhezi Luciano Spalletti ka reaguar me tone të forta, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për paraqitjen zhgënjyese të skuadrës.

Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Spalletti refuzoi dramatizimin e humbjes, duke theksuar se futbolli nuk duhet trajtuar si çështje “jete a vdekje”, pavarësisht rëndësisë së rezultatit.

“E humbëm ndeshjen më të rëndësishme? Gjërat e jetës janë të tjera. Janë gabim krahasimet dramatike, këto janë ndeshje futbolli. Sigurisht që është një rezultat shumë i keq, por lojtarët kanë bërë progres të rëndësishëm dhe duhet të ruajmë personalitetin për të përballuar sfida të këtij niveli”, u shpreh tekniku italian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Trajneri i Juventusit u tregua autokritik, duke vendosur në qendër të analizës fillimisht veten dhe jo futbollistët.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nëse skuadra nuk arrin të shprehë nivelin që ka, atëherë i pari që duhet të vihet në diskutim jam unë. Nëse vij në fushë dhe ofrojmë këtë paraqitje, duhet të analizoj çfarë kam bërë unë para se të analizohen lojtarët”, deklaroi ai për Sky.

Spalletti e cilësoi sfidën ndaj Fiorentinës si një ndeshje të dobët në çdo aspekt, duke pranuar se Juventusi bëri shumë pak për të merituar një rezultat pozitiv.

“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të dobët. Në disa episode nuk patëm fat, por edhe ne bëmë shumë pak për atë që kërkonte ndeshja. Tani duhet të rindërtojmë gjithçka që na ka sjellë deri këtu”, shtoi ai.

Në fund, trajneri bardhezi insistoi se ka ide të qarta për skuadrën dhe për mënyrën si duhet të reagojë grupi në momentet e vështira.

“Kam ide shumë të qarta për veten dhe lojtarët e mi. Kam bërë gjithçka për t’i vendosur në kushtet e duhura mendore. Duhej ta fitonim këtë ndeshje”, përfundoi Spalletti.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?