Spanja triumfon ndaj Francës: Analiza taktike e fitores së De la Fuente
Spanja fitoi, por Franca humbi. Kjo ishte kryevepra e trajnerit Luis de la Fuente, por edhe një ditë e keqe për Didier Deschamps. Që në minutën e parë u kuptua se sfida ishte e çekuilibruar: një ekip me topin dhe ide të qarta, tjetri në mëshirë të situatave dhe pa një plan të vërtetë organizativ. Nuk pati asnjë mundësi për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. “Bleus” duhej të kishin ndryshuar menjëherë formacionin ose të kishin bërë të paktën dy zëvendësime pas gjysmë ore, gjë që është e vështirë në një gjysmëfinale.
Ndeshja Francë-Spanjë ishte jashtëzakonisht e komplikuar edhe nga pikëpamja taktike. Franca zakonisht dominon, kontrollon territorin, shtyp rivalët, por di edhe të mbyllet për të shpërthyer në kundërsulme. Spanja, nga ana tjetër, kontrollon topin me një rrjetë pasimesh me saktësi ekstreme, dikton ritmin e ndeshjeve, ngadalëson dhe përshpejton lojën. Ajo ka aftësinë të pozicionohet masivisht në mesfushë për të hequr çdo hapësirë dhe për të lëvizur kolektivisht përpara, duke i mbajtur gjithmonë kundërshtarët larg portës së saj. Nga pikëpamja strategjike, Spanja fitoi qartësisht, duke detyruar Francën të humbiste identitetin e saj. Çfarë e ndihmoi De la Fuenten? Superioriteti total në mesfushë.
Këtu qëndrojnë dy gabimet kryesore të Deschamps. I pari ishte zgjedhja e Tchouameni-t në vend të Koné-s. Lojtari i Real Madridit nuk ishte në formë, kishte luajtur pak, dhe me siguri trajneri francez donte të mbronte më shumë ekipin. Ndërkohë, lojtari i Romës, Koné, e interpreton rolin më shumë si një regjisor lëvizës sesa si një mesfushor qendror mbrojtës. Por kjo ishte vetëm pjesa e parë e problemit. Me Rabiot që ndiqte çdo kundërshtar, u kuptua se Deschamps duhej të kishte bërë një revolucion: të hiqte Barcola-n, të dizajnonte një trident me Olise, Mbappé dhe Dembélé, dhe kështu të krijonte një mesfushë me Tchouameni midis Koné dhe Rabiot. Kalimi nga një 4-2-3-1 në një 4-3-3 do të kishte qenë të paktën një përpjekje për të kthyer baraspeshën.
Por nuk mbaroi me kaq. Edhe zgjedhja e Barcola-s në vend të Doué-s varfëroi mesfushën franceze. Doué bën më shumë manovra, ndërsa Barcola është një anësor i mirëfilltë. Ndoshta Deschamps harroi se Spanja luan… pa sulm. Jo në kuptimin që nuk ka sulmues, por i mban të gjithë të tërhequr për t’i nisur papritur. Formacioni 4-2-3-1 i Spanjës, në çdo foto taktike, është në të vërtetë një lloj 4-6-0, ose 4-5-1 i zhvendosur në një krah, sepse lojtari më i avancuar është gjithmonë njëri mes Yamal dhe Baena (dje Baena). Në vend të kësaj, Oyarzabal, sulmuesi që është aty por nuk duket, dhe Dani Olmo zënë një linjë mesatare më të tërhequr: prej andej ata vijnë me dialog, pasime dhe trekëndësha vertikalë. Ishin gjithmonë katër kundër dy, dhe presingu individual spanjoll triumfoi në çdo rast. Asnjë francez nuk arriti të ndërtonte një manovër “të pastër”.
Në këtë kontroll qëndron projekti i De la Fuentes, i cili është një pragmatist i madh si Del Bosque. Ai ka lojtarë të shkëlqyer, ndonëse nuk ka fenomene si Mbappé, por duke krijuar këtë kolektiv ai shumëfishon performancën e çdo individi. Porro ishte një anësor që shënoi gol, Olmo një “10” modern, Cucurella bënte më shumë zbritje se diagonale, dhe dyshja Rodri-Fabian kujtoi Busquets-Xavi. Fantastikë. Ndoshta dy më të mirët. Dhe Yamal? Ai nuk luajti kurrë si në Euro 2024, por u tregua i dobishëm taktikisht, duke mbuluar krahun si asnjë nga “Katër Fantastikët” francezë, dhe me lëvizjen e duhur në momentin e duhur mund të jepte “plusin”, siç ndodhi me penalltinë. Spanja dominoi në çdo aspekt. Mbetet të shihet nëse dhe si Argjentina apo Anglia do të gjejnë kundërmasa ndaj këtij projekti taktik padyshim më të evoluar.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

