Tare: Tifozët kanë të drejtë që na kontestojnë, kualifikimi në Champions është jetik
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, foli përpara sfidës ndaj Atalantës, duke prekur situatën e skuadrës, protestat e tifozëve, të ardhmen e Luka Modrić dhe objektivin për kualifikimin në Champions League.
Në prononcimin për “DAZN”, Tare u shpreh se tifozët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por theksoi se në këtë moment klubi duhet të qëndrojë i bashkuar.
“Tifozët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre. E rëndësishme është që të jemi të gjithë të bashkuar, sidomos në këtë moment. Duhet ta mbyllim sa më mirë këtë rrugëtim dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës. Paraqitja ndaj Sassuolos na la shumë keqardhje dhe kemi kaluar një javë të vështirë. Megjithatë, jemi të bindur se skuadra do të japë një reagim të rëndësishëm sonte”, deklaroi Tare.
I pyetur për të ardhmen e Luka Modriç, drejtuesi kuqezi vlerësoi ndikimin e kroatit në skuadër dhe la të hapur mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe sezonin e ardhshëm. “Mungesa e tij në fushë ndihet shumë, por prania e tij në grup është e jashtëzakonshme. Ai qëndron çdo ditë pranë skuadrës dhe edhe tani në dhomat e zhveshjes përpiqet t’i motivojë lojtarët. Është një figurë shumë e rëndësishme për Milanin dhe jam optimist se do të vazhdojë me ne edhe sezonin e ardhshëm”, tha Tare.
Në fund, shqiptari foli edhe për objektivin madhor të sezonit, sigurimin e një vendi në UEFA Champions League.
“Kualifikimi në Champions është jetik, jo vetëm për mua, por për të gjithë ambientin: klubin, tifozët dhe historinë e Milanit. Kemi zhvilluar një sezon të rëndësishëm, edhe pse javët e fundit kemi humbur ritmin. Gjithsesi, fati është ende në duart tona dhe duhet të japim një përgjigje të fortë”, përfundoi drejtori sportiv kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

