
Gara për titullin në Premier League ka marrë një kthesë të re dramatike. Pas javësh të tëra në krye të renditjes, Arsenal ka zbritur në vendin e dytë, duke ia lënë kreun rivalëve të Manchester City.
Fitorja minimale 1-0 e “qytetarëve” ndaj Burnley, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në mbrëmje, ka bërë që skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola të ngjitet në vendin e parë, pavarësisht se dy ekipet kanë statistika identike në disa tregues kyç.
Të dyja skuadrat numërojnë nga 70 pikë, 21 fitore dhe një diferencë golash +37. Megjithatë, diferenca është bërë nga numri i golave të shënuar, ku Manchester City kryeson me 66 gola, kundrejt 63 të londinezëve të drejtuar nga Mikel Arteta.
Rregullorja e kampionatit parashikon që, në rast barazimi të plotë me pikë, diferencë golash dhe gola të shënuar, titulli të vendoset nga përballjet direkte. Edhe në këtë aspekt, avantazhi është në anën e kampionëve në fuqi.
Manchester City triumfoi 2-1 ndaj Arsenalit në përballjen e fundit mes tyre, ndërsa takimi i parë i sezonit në “Emirates” u mbyll në barazim 1-1, duke i dhënë kështu skuadrës së Guardiolës një epërsi të rëndësishme në garën për titull.
