Tirana dhe Partizani, derbi historik për femra me një mesazh sensibilizues
Derbi i parë historik për femra mes Tiranës dhe Partizanit, dy ekipet e sapoformuara zgjodhën jo rastësisht që ndeshjen e parë ta luajnë në Ditën Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit. Si femra, në radhë të parë, pastaj si futbolliste, të dyja ekipet zbritën bashkërisht në fushën e lojës, ku kapitenet e dy skuadrave lexuan dhe një mesazh sensibilizues përpara sfidës, ndërsa për drejtorin e sektorit të futbollit të femrave në FSHF, Florian Riza, kjo sfidë historike derbi mes ekipeve të vajzave, shërben për të dhënë dy mesazhe të qarta.
Takimi u fitua 2-0 nga ekipi i Tiranës, por për trajnerin Edmond Ruco, si rrallë herë, dhe për mesazhin që sfida transmetonte rivaliteti në fushë mes dy ekipeve, nuk i kaloi kufijtë dhe për vetë mesazhin që takimi përcillte. “Më tepër do ta quaja sinjifikativ këtë derbi sepse është një miqësore për t’iu bashkuar ditës së grave, të nënave e motrave tona. Por, fanella e Tiranës është shumë e rëndë dhe shumë vajza e pretendojnë ta veshin, siç ndodh edhe te ekipi i djemve”, deklaroi Ruço.
Ndërsa trajnerja e Partizanit, Berta Lako, deklaroi: “Fakti që jemi një skuadër e re, e kemi patur të vështirë t’i afrojmë vajzat. Por, jemi të kënaqur dhe për emrin që mban Partizani këto vajza erdhën me shumë dëshirë për të luajtur dhe për të treguar veten e tyre”. Derbi ishte testi i parë për dy skuadrat që do të marrin pjesë në kampionatin kombëtar të femrave për këtë sezon, ndërsa nga edicioni tjetër, çdo ekip i elitës do të jetë i detyruar që të ketë edhe ekipin e femrave.
KOHA JONË SONDAZH

