Tirana ra nga kategoria, por këtë sezon arkëtoi rreth 700 milionë lekë
Tirana ra nga kategoria, duke “nxirë” historinë e artë të klubit më të titulluar në vend. Por, për çudi, ky vit ka sjellë përfitime të kënaqshme për arkën e klubit. Pesë vite pa fituar Kupën e Shqipërisë dhe 4 vite jashtë zonës “Euro” rënduan ndjeshëm mbi bardheblutë dhe rrjedhimisht fitimet ishin minimale.
Nëse për tifozët edicioni 2016- 2017 do të mbetet gjatë në memorie, pasi për të parën herë do të shohin ekipin e zemrës në inferiore, në radhët e drejtuesve mund t’i bëjnë fare mirë llogaritë me shifra. Në total i janë shtuar arkës afro 700 milionë lekë të vjetër, një shumë e konsiderueshme kjo.
Pjesëmarrja në turin e parë të Ligës së Europës përkthehet për bardheblutë me 215 mijë euro (afro 284 milionë lekë të vjetër). Këto parà do të derdhen direkt nga UEFA dhe, në rast se kualifikohen, gjë që duket thuajse e pamundur, do t’i shtoheshin edhe 225 mijë euro të tjera. Sakaq, Federata Shqiptare e Futbollit i dha Tiranës edhe dy “bonuse”, si fitues i trofeut të Kupës morën 50 milionë lekë, ndërsa si ekipi “fair play” 15 milionë lekë. Këto janë vetëm paratë e thata, që merren nga “qeveria” europiane e futbollit dhe ajo shqiptare, pasi përfitimet shtohen ndjeshëm edhe nga “Selman Stërmasi”, që mund të jenë bileta dhe hua.
Nga biletat për gjithë sezonin kanë mbledhur diku te 100 milionë lekë dhe të mendosh që 2017 ka ofruar shkallë të boshatisura pas “bojkotit” të “Tirona Fanatics”. Ndërsa 60 milionë të tjera vijnë nga përdorimi i fushës prej Partizanit apo edhe prej aktiviteteve të tjera, që mund të jenë edhe ceremoni ditëlindjesh apo festa të tjera. 100 milionë lekë të tjera vijnë edhe prej sponsorëve, konkretisht nga reklamat që janë të vendosura në “Selman Stërmasi”. Për ta mbyllur, është edhe e drejta televizive, e cila shkon në 70 mijë euro (diçka më tepër se 90 milionë lekë të vjetër).
Përfitimet prej “shitjeve”
Merveil Ndokyt, Ruben Akuah, Albi Doka dhe Erion Hoxhallari janë në “ankand”. Kërkesat në drejtim të tyre nuk mungojnë dhe klubi është në pritje të ofertave të mëdha për t’i shitur. Drejtuesit pretendojnë që të arkëtojnë më tepër se një 1 milion euro prej tyre dhe, nëse kjo ndodh, atëherë financiarisht sezoni do të mbyllej më shumë se i suksesshëm./panoramasport
KOHA JONË SONDAZH

