
Dusan Vlahovic sheh më në fund dritë në fund të tunelit pas dëmtimit të rëndë të pësuar ndaj Cagliarit. Lajmi është konfirmuar nga Giorgio Chiellini, i cili ka folur për gjendjen e sulmuesit serb dhe afatet e rikuperimit në një intervistë për DAZN. Sipas drejtorit të strategjisë së futbollit te Juventusi, rikthimi i numrit 9 nuk do të jetë i menjëhershëm, pasi bëhet fjalë për një dëmtim të rëndësishëm.
“Vlahovic do të kthehet pas pak kohe dhe jo shumë shpejt, është një dëmtim i rëndësishëm. Prandaj u lëvizëm për të marrë një sulmues, në përputhje me situatën financiare”, u shpreh Chiellini, duke sqaruar edhe arsyen pse bardhezinjtë u hodhën në merkato gjatë janarit.
Duke iu referuar projeksionit të dhënë nga Chiellini, Vlahovic pritet të rikthehet në dispozicion të Juventusit mes fillimit dhe mesit të marsit, pra pas rreth 4-6 javësh.
Ndërkohë, sulmuesi serb ka nisur punën në Continassa, ku ka hyrë në fazën e riatletizimit, nën mbikëqyrjen e stafit përgatitor të klubit bardhezi. Juventusi shpreson që rikthimi i tij të përkojë me fazën vendimtare të sezonit, ku objektivat në kampionat dhe kupë kërkojnë një Vlahovic në formë të plotë.
