Zbardhet prapaskena, “finalja” Kamza-Besëlidhja në dorën e Disiplinës
Finalja e Kategorisë së Parë në Grupin B që do të përcaktojë një mes Kamzës dhe Besëlidhjes që do të ngjiten në Superiore sezonin e ardhshëm është peng i Komisionit të Disiplinës. Kur pritej që FSHF të përcaktonte datën dhe orën ku do të luhej takimi i shtyrë i ditës së premte, vjen lajmi surprizë. Çështja do të diskutohet në mbledhjen e sotme të Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së. Finalja e parashikuar për t’u luajtur të premten nuk u zhvillua pasi Policia e Shtetit nuk e mori përsipër.
KONFIRMIMI
Në një reagim për gazetën “Panorama Sport”, është shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi që konfirmon lajmin se finalja Kamza-Besëlidhja do të shqyrtohet nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së.
“Në lidhje me ndeshjen Kamza-Besëlidhja, do të presim nesër (sot) vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe më pas do të vendosim”, deklaroi dje Nurishmi. Mësohet se Besëlidhja e ka dërguar çështjen në FSHF dhe kërkon fitoren në tavolinë. Sipas të gjitha gjasave, do të shqyrtohet kërkesa e klubit lezhjan.
Policia e Shtetit ditën e ndeshjes më 12 maj i dërgoi një shkresë Federatës së Futbollit dhe Bashkisë së Kamzës ku i bënte të ditur se nuk merrte përsipër ndeshjen, pasi stadiumi i Kamzës nuk plotësonte kushtet e sigurisë teknike. Gjithashtu, në argumentimin e bërë nga Komisariati 5 thuhej se kishte informacion se tifozët e Kamzës do të godisnin me sende të forta tifozët miq dhe trajnerin e Besëlidhjes.
Tashmë, çështja është në dorë të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës së Futbollit që do të vendosë në lidhje me ndeshjen. Vetëm pas këtij vendimi do të ndërhyjë më pas FSHF për të qartësuar situatën. Nga kjo ndeshje do të dalë edhe skuadra e dytë pas Lushnjës që do të luajë në Superiore sezonin e ardhshëm./panoramasport/
KOHA JONË SONDAZH

