“Zbori” tek Atletiko, Kejdi Bare tregon si punohet me Diego Simeonen

Është një lojtar premtues jo vetëm për Kombëtaren shqiptare të futbollit, por edhe për Atletikon. Kejdi Bare është përzgjedhur nga Simeone që të jetë pjesë e fazës përgatitore të skuadrës spanjolle.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bare tregon si është kjo periudhë përgatitore, miqtë e ri në ekip, si dhe detaje për të ardhmen e tij në lidhje me merkaton e transferimeve.

Kejdi, jeni bashkuar me ekipin e parë të Atletikos për fazën përgatitore, si ka nisur ajo?

Swiss Digital Desktop Reklama

Janë vetëm ditët e para, por për mua ka nisur gjithçka si duhet. Jam në formë të mirë fizike dhe me kalimin e ditëve besoj se gjithçka do të shkojë në rregull. Uroj të mos kem dëmtime, që të kem mundësi të tregoj vlerat e mia çdo ditë në stërvitje.

Swiss Digital Mobile Reklama

Jeni përzgjedhur nga trajneri Simeone që t’i bashkoheni ekipit të parë. A është faza një test për të ardhmen tuaj?

Unë konsideroj test çdo seancë stërvitore, edhe kur jam me Atletikon B. Në përditshmërinë time, kur jam në fushë me ekipin, kam shumë për të punuar, shumë për të mësuar dhe më pas kam gjithmonë shumë për të dhënë në fushën e lojës sa herë që më jepet shansi. Ndaj, nuk më bën përshtypje fakti që edhe kjo periudhë dyjavore është testuese për ne të rinjtë.

Jeni një nga 5 të rinjtë nga akademia. Si sillet Simeone me ju në krahasim me të tjerët?

Trajneri nuk flet shumë dhe nuk shprehet papara të gjithëve. Megjithatë, le të themi që ai është personi i vetëm që bën shaka.

Çfarë ju thotë?

Jo me mua personalisht, por në grup. Është ndër të vetmit që shtensionon situatat me batuta.

Si është një ditë në grumbullim?

Siç dihet, gjatë fazës përgatitore kryefjala është stërvitje. Ka shumë seanca gjatë ditës. Është pak a shumë një regjim që nis me zgjimin shumë herët në mëngjes dhe më pas dita plotësohet me seancat stërvitore dhe orët e lira të pushimit.

Ku po e kryeni grumbullimin?

Jemi larg qendrës stërvitore të Atletikos. Ndodhemi në mal dhe do të jemi këtu për një periudhë dyjavore.

A mendoni se ky do të jetë viti i shpërthimit tuaj?

Shpresoj që ky të jetë një vit sa më pozitiv për karrierën time. Unë do të doja shumë që të qëndroja tek Atletiko dhe t’i bëj gjërat si duhet në këtë ekip, megjithatë ka kohë për këtë.

Keni vendosur që të qëndroni, apo keni edhe oferta të tjera?

Në fund të fazës përgatitore do të flasim për gjithçka me drejtuesit. Megjithatë, momentalisht kam disa interesime nga skuadra të ndryshme në Spanjë, si dhe jashtë saj, por që nuk i kam marrë fare në konsideratë, pasi dua që të qëndroj tek Atletiko. Pasi të mësoj se çfarë do të ndodhë këtu, mund të nis të mendoj se çfarë duhet të bëj.

Meqë është periudhë verore, ku i kaluat pushimet?

Unë i qëndroj gjithmonë besnik vijës bregdetare shqiptare. Për ne që jetojmë larg vendit tonë, gjithçka në Shqipëri është edhe më e bukur.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?