Zviceranët e Bazelit lënë Besëlidhjen pa trajner, ofertë Alban Brukës. Tekniku tundohet
Ndryshe nga vitet e tjera, këto pushime verore futbollistët dhe stafi teknik i Besëlidhjes po i shijojnë të qetë. Duket se në skuadrën e sezonit të ardhshëm do të ketë shumë ndryshime. Dy prej futbollistëve që shkëlqyen janë larguar zyrtarisht dje nga Besëlidhja. Lansinet Sidibe dhe Seku Kamara kanë firmosur me Flamurtarin dhe janë prezantuar ditën e djeshme, por duket se ndryshimet te lezhjanët do të nisin që nga stoli.
Ka shumë gjasa që Alban Bruka të mos jetë më në krye të skuadrës. Në një prononcim për gazetën, ai flet për ofertat dhe vendimin që do të marrë shumë shpejt. “Ka mbi 25 vjet që unë jam pjesë e Besëlidhjes. Që kur e kam nis futbollin si fëmijë kam luajtur si titullar edhe në periudhën e artë të saj kur militonte në Superiore.
Në fillim të sezonit 2010-2011 jam kthyer te Besëlidhja si trajner i saj për një periudhë të shkurtër. Sezonin e kaluar skuadrën e mora në vend të dytë me një diferencë prej 10 pikësh dhe deri në mbyllje të fazës së dytë e ruajta këtë distancë, pasi nuk pësova asnjë humbje.
Sa i përket sezonit të ri, kam disa oferta tunduese. Për mua kryesorja mbetet oferta që më ka bërë një menaxher kosovar për të drejtuar teknikisht një skuadër të moshave te Bazeli i Zvicrës. Ashtu siç e theksova edhe në rezymenë time më lart, mbetem besnik i Besëlidhjes. Megjithatë, më duhet të zgjedh për më të mirën time dhe shumë shpejt do të vendos”, u shpreh fillimisht trajneri lezhjan në prononcimin e tij.
Më tej, Bruka foli për mundësitë që ka skuadra për t’u bërë pjesë e elitës në kampionatin e ardhshëm. “Sa i përket Besëlidhjes së sezonit të ri, ajo ka një shans për t’u ngjitur, pasi edhe Tirana që është skuadër e madhe do të luajë në Grupin e Jugut. Kjo ia ka lehtësuar disi rrugën Besëlidhjes për të arritur synimin që ka, rikthimin në elitë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën trajneri Alban Bruka./panoramasport/
KOHA JONË SONDAZH

