ZYRTARE/ Manuel Neuer rinovon me Bayernin deri në vitin 2027

Manuel Neuer do të vazhdojë të jetë portieri i parë i Bayern Munich edhe për sezonin 2026-2027. Sipas raportimeve të Sky Sport Germany, marrëveshja për rinovimin e kontratës mes palëve është arritur dhe zyrtarizimi pritet të vijë në ditët në vijim.
Kontrata e re do ta mbajë Neuerin te bavarezët deri më 30 qershor 2027, duke i dhënë mundësinë legjendës gjermane të vazhdojë karrierën në nivelet më të larta deri në moshën 41-vjeçare.
Me këtë rinovim, Neuer do të synojë të fitojë titullin e tij të 14-të në Bundesliga, çka do ta kthente në futbollistin me më shumë trofe kampionë në historinë e kampionatit gjerman. Aktualisht ai e ndan këtë rekord me ish-shokun e skuadrës, Thomas Muller.
Sipas mediave gjermane, marrëveshja mes palëve është mbyllur prej kohësh dhe klubi pritet ta bëjë publike para ndeshjes së fundit të sezonit ndaj 1. Köln, e planifikuar për më 16 maj.
Neuer ka pranuar edhe një ulje të pagës së tij vjetore, e cila aktualisht vlerësohet rreth 20 milionë euro bruto. Megjithatë, ai do të mbetet zgjedhja e parë në portën e Bayernit, ndërsa Jonas Urbig do të vazhdojë në rolin e portierit të dytë, por me më shumë hapësira aktivizimi gjatë sezonit të ardhshëm.
KOHA JONË SONDAZH

