Gjergj Luca: Edi Rama është fe për të gjithë njerëzit që guxojnë të ëndërrojnë
Sipërmarrësi Gjergj Luca është rikthyer në komunikimin e tij publik përmes rrjeteve sociale, duke iu përgjigjur kritikave dhe komenteve të ndjekësve, veçanërisht një komentueseje që e akuzonte se kishte frikë nga të vërtetat e veta.
Në reagimin e tij, Luca ndalet fillimisht te modeli i edukimit përmes punës, duke theksuar se fëmijët e tij kanë nisur të punojnë që në moshën 12-13-vjeçare dhe se këtë e ka bërë publike vazhdimisht në rrjetet sociale. Për të ilustruar këtë qasje, ai sjell shembullin e vajzës së tij, e cila, sipas tij, këtë javë është angazhuar në pastiçeri, ndërsa një javë më parë ka qenë pjesë e procesit të punës në fabrikë.
“Çdo prind do të ishte i lumtur që fëmijët e tyre, pas sezonit shkollor, të dalin e të punojnë, të sprovohen me punën, të mësohen me edukatën e saj dhe jo të kalojnë kohën në telefonë e rrjete sociale, të përfundojnë përdorues të substancave psikotrope apo të dalin në protesta duke bërtitur pa e ditur se për çfarë protestojnë”, shprehet Luca.
Videon ai e ka shoqëruar me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Mbajeni këtë video kujtim dhe shiheni sot e mot. Gjergj Lucën e mbron puna, e mbrojnë investimet, e mbrojnë pagat që u jep punëtorëve, e mbrojnë sigurimet shoqërore, taksat dhe transparenca. Jam bir i dy familjeve të mëdha dhe kurrë nuk e bëj pis atdheun tim.”
Në vijim të komunikimit, Luca sqaroi edhe një tjetër rast që kishte ngjallur reagime në rrjet. Ai pranoi se kishte fshirë një video ku shfaqej një i ri që punonte në sipërmarrjen e tij, por theksoi se kjo ishte bërë me kërkesën e babait të djalit. Sipas tij, i riu po përballej me bullizim nga bashkëmoshatarët, të cilët e etiketonin me shprehje fyese për shkak të punës që kryente.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të Lucës lidhej me deklaratat e tij të mëparshme për kryeministrin Edi Rama. Duke iu përgjigjur akuzës se kishte thënë se “Edi Rama është fe”, sipërmarrësi jo vetëm që nuk e mohoi këtë deklaratë, por e ritheksoi me bindje.
“Po, kam thënë se Edi Rama është fe për të gjithë njerëzit që guxojnë të ëndërrojnë. Kam thënë se Edi Rama është fe për ata që punojnë fort për të realizuar ëndrrat e tyre. Kam thënë se Edi Rama është fe për të vërtetat që burojnë nga puna”, deklaroi Luca.
Më tej ai shtoi se kjo “fe”, siç e quan ai metaforikisht besimin tek vizioni i kryeministrit, është më e madhe se ajo e kundërshtarëve politikë që, sipas tij, dalin në protesta për arsye të ndryshme, duke bashkuar pakënaqësi ekonomike, probleme të administratës apo çështje të tjera sociale.
Në vijim të videos, Luca ngriti edhe një pyetje që, sipas tij, prek thelbin e debatit publik në Shqipëri:
“Pse ne duhet t’ju dëgjojmë ju dhe ju nuk na dëgjoni ne? A nuk jemi në demokraci? A nuk duhet të dëgjohen të gjitha mendimet? Secili ka bindjet, dëshirat, vizionin dhe mënyrën e vet për ta parë vendin.”
Në përmbyllje të reagimit, ai u ndal te liria e shprehjes, duke deklaruar se nuk ka heshtur as në sistemin e kaluar dhe as në sistemin aktual.
“Unë nuk e kam çarë kokën në atë sistem dhe nuk e çaj kokën as në këtë sistem. Deri ditën që të vdes, nuk ka njeri që ma mbyll gojën”, u shpreh Luca.
Për të mbështetur këtë qëndrim, ai ftoi ndjekësit të shohin aktivitetin e tij ndër vite në rrjetet sociale, duke pretenduar se ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj problematikave të vendit, përfshirë qeverinë, korrupsionin, abuzimet në administratë dhe çdo dukuri që, sipas tij, ka penguar zhvillimin normal të Shqipërisë.
“Le t’i shohin të gjithë rrjetet e mia sociale dhe të gjejnë kush ka protestuar më shumë se unë kundër hajnisë, kundër administratës së korruptuar dhe kundër gjithçkaje që nuk ka shkuar si duhet në këtë vend”, përfundon ai.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

