Gjergj Luca: T’i dalësh zot flamurit me punë, duke kthyer shpresën aty ku sundonte harrimi
Nga Albert Vataj
Nga Fieri në Labinot-Fushë, nga sfidat e flotës “Rozafa”, në Prrenjas e Gramsh, sipërmarrësi Gjergj Luca vazhdon të jetë aty ku pak kush do të kishte guxuar të shihte një të tashme, e aq më pak të projektonte një të ardhme. Ai shkon pikërisht në ato vende ku harresa kishte hedhur themelet e saj, ku shpresa dukej e rrudhur nën peshën e braktisjes dhe ku ikja ishte bërë mënyra e vetme e mbijetesës. Atje ai mbërrin me një ide të thjeshtë, por të fuqishme, me punën. Sepse për Lucën, puna nuk është thjesht mjet jetese, ajo është filozofi, është besim, është akt patriotik dhe përgjegjësi qytetare.
Kudo ku shkon, ai nuk mjaftohet vetëm me investimin. Ai ndërton një komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit, një dialog që buron nga bindja se zhvillimi nuk lind nga fjalët, por nga veprat. Flet me pasion, me gjallëri, shpesh me ton të ngritur, por gjithmonë me një sinqeritet që nuk përpiqet të maskohet pas formulave të gatshme. Në ligjërimin e tij ka revoltë ndaj demagogjisë, por edhe dashuri për vendin, ka zemërim ndaj hipokrizisë, por edhe besim te forca e njeriut të punës.
Gjergj Luca e ka kthyer promovimin e punës në një kundërvënie të hapur ndaj kulturës së zhurmës. Përballë protestave të pafundme që shpesh nisin me kauza dhe përfundojnë në mjegullnajën e interesave, ai vendos fabrikat, investimet, vendet e punës dhe prodhimin. Përballë retorikës, ai vendos rezultatin. Përballë premtimeve, ai vendos veprën.
Sot ai flet nga Gramshi, nga fabrikat e përpunimit të peshkut, në një zonë që për dekada dukej se ishte lënë në mëshirën e fatit. Një vend ku heshtja e largësisë dhe mungesa e mundësive rrezikonin të shndërroheshin në dënim kolektiv. Por pikërisht aty Luca vendosi të investojë, të rrezikojë, të besojë. Jo për të ndërtuar një monument për veten, por për të krijuar një mundësi për të tjerët. Për të hapur dyer atje ku të gjithë shihnin mure.
Ai ka hedhur miliona në projekte që shumëkush do t’i konsideronte të pamundura, duke rikthyer në jetë ekonomi lokale të harruara dhe duke dëshmuar se Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron autostrada. Përkundrazi, Shqipëria e vërtetë fillon shpesh aty ku vështirësitë janë më të mëdha dhe ku nevoja për investim është më urgjente.
Shpesh e kanë quajtur të çmendur. Por ndoshta historia e zhvillimit është shkruar gjithmonë nga ata që kanë guxuar të duken të tillë. Sepse Luca nuk investon për madhështi personale, as për dekorata, as për lavdi mediatike. Ai investon për të ngritur në piedestal dinjitetin e punës, për t’i dhënë mundit dhe djersës shpërblimin që meritojnë dhe për të dëshmuar se ky vend ka ende energji, potenciale dhe burime të pashfrytëzuara që mund të shndërrohen në mirëqenie.
Kësaj here ai i është rikthyer një prej armëve të tij më karakteristike të komunikimit, karikaturës. Muret e fabrikave në Gramsh janë shndërruar në një galeri të hapur satirike, ku politika, burokracia, hipokrizia dhe absurditetet e përditshmërisë ekspozohen pa mëshirë. Me grafite, figura alegorike dhe shprehje që godasin si sentenca, Luca ndërton një revistë murale ku arti bëhet tribunë e së vërtetës.
Askush nuk i shpëton vëzhgimit të tij. Askush nuk mbetet jashtë fokusit të kritikës së tij. Sepse ai nuk ka zgjedhur të jetë sipërmarrësi klasik që flet vetëm për bilance dhe fitime. Ai ka zgjedhur të jetë një figurë e pazakontë e sipërmarrjes shqiptare, një zë që nuk hesht, një karakter që nuk pajtohet me mediokritetin dhe një njeri që e shpreh publikisht zemërimin e tij kur sheh se gjërat nuk ecin siç duhet.
Duke shëtitur mes këtyre vizatimeve, ai sikur shfleton një kronikë të kohës sonë. Një kronikë ku humori përzihet me ironinë, ku sarkazma bëhet kritikë dhe ku arti shndërrohet në gjuhë proteste.
Dhe ndërsa shumë sy janë drejtuar nga bregdeti, nga resortet luksoze dhe fitimet e mëdha që premton industria turistike, Luca zgjedh të flasë nga thellësitë e Shqipërisë. Nga fshatrat e Gramshit. Nga mesmaleve. Nga vendet ku investimi nuk sjell vetëm përfitim ekonomik, por edhe ringjallje sociale.
“Unë jam këtu”, duket se thotë ai me çdo projekt që ndërton, “aty ku puna mund të krijojë shpresë dhe ku investimi mund të kthehet në mirëqenie.”
Dhe jo rastësisht ai kujton se po flet nga një tokë ku tre heronj kanë dhënë jetën për flamurin. Një flamur që, sipas tij, sot duhet mbrojtur jo vetëm me sakrifica heroike, por me punë të ndershme, me përkushtim dhe me përgjegjësi.
Sepse në fund të fundit, mes gjithë polemikave, kundërshtive dhe debateve që e shoqërojnë figurën e tij, mesazhi që Luca përsërit vazhdimisht mbetet i njëjtë, një komb nuk ndërtohet me përralla, as me hipokrizi, as me zhurmë. Një komb ndërtohet me punë.
Rroftë puna. Rroftë e vërteta që lind prej saj. Rroftë Shqipëria e njerëzve që besojnë se zhvillimi nuk është një premtim, por një përpjekje e përditshme.
KOHA JONË SONDAZH

