Zjarri i rënë mesnatën e së hënës në godinën dykatëshe monument kulture, pranë qendrës së Tiranës, e njohur si Sarajet e Toptanve, ka qenë i qëllimshëm. Ky është dyshimi kryesor i ngritur nga grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e rrethanave të zjarrit që shkaktoi vetëm dëme materiale. Prova kryesore ku bazohet ky dyshim janë pamjet filmike të kamerave të sigurisë në bizneset pranë Sarajeve.
Në pamjet e sekuestruara tashmë nga grupi i hetimit, shfaqen të paktën dy persona që mund të jenë përfshirë në zjarrvënien e monumentit të kulturës. Një prej tyre, që duket në këtë video të publikuar nga kreu i bashkisë Tiranë, personi që largohet me vrap në rrugicën përballë Sarajeve është rreth të 30-tave dhe i pamaskuar.
Grupi hetimor që bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes konstatoi se, zjarri ishte vendosur në dy vatra nga ana e pasme e godinës, duke thyer dritaret e katit të parë, ndërsa janë marrë mostra për të përcaktuar llojin e lëndës djegëse të përdorur.