Shqipëria në krah të Emirateve, Rama në Abu Dhabi, dënon “Hakmarrjen e verbër nga një shtet në errësirën e historisë”
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një imazh nga vizita e tij në Abu Dhabi, duke e shoqëruar atë me një mesazh të drejtpërdrejtë politik dhe emocional në mbështetje të Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në tekstin që shoqëron fotografinë, Rama thekson se prania e tij në Abu Dhabi është një shprehje e “solidaritetit vëllazëror” me Emiratet dhe një gjest miqësie ndaj Presidentit Mohammed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e cilëson si “mik të shtrenjtë”. Ky pozicionim vjen në një moment që Kryeministri e përshkruan si të trazuar për vendet e Gjirit Arabik, duke nënvizuar sfidat dhe tensionet që po përballen në arenën rajonale.
Rama shprehet i bindur se Emiratet dhe vendet mike të rajonit do të arrijnë të kapërcejnë këtë periudhë të vështirë, duke dalë “më të forta se kurrë më parë”. Në të njëjtën kohë, ai përdor një gjuhë të ashpër për të përshkruar natyrën e konfliktit, duke e cilësuar atë si një akt “hakmarrjeje të verbër” nga një shtet që, sipas tij, “ka mbetur në një qoshe të errët të historisë”.
Ky reagim publik i Kryeministrit shqiptar përbën jo vetëm një deklaratë solidariteti diplomatik, por edhe një sinjal të qartë të pozicionimit të Shqipërisë në raport me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, duke riafirmuar lidhjet e saj me partnerët strategjikë në rajon.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

