Rasti Mimoza Ahmeti në “Ferma VIP” dhe opinioni i Robert Aliaj Dragot – Spektakli, figura dhe rrënimi i debatit publik
Qasja e Robert Aliaj Dragoti ndaj Mimoza Ahmeti është e artikuluar me një aparat konceptual interesant (spektakli si “laborator antropologjik”, disiplinimi i vëmendjes, etj.), por bie në një kontradiktë thelbësore, pretendon analizë strukturore, ndërsa përfundon në diskreditim personal.
Nëse e lexon me kujdes, problemi nuk është kritika, kritika ndaj një performance publike është legjitime, madje e nevojshme, por gjuha dhe drejtimi i saj. Terma si “e rrjedhur nga truri” apo “plakur keq mendërisht” nuk janë kategori analitike, janë etiketime degraduesе që e zhvendosin debatin nga fenomeni te individi. Në atë moment, argumenti dobësohet, sepse humb terrenin etik dhe racional. Megjithë pozicionimin atipik që Robert Aliaj Dragoti ka ofruar, sa herë mendimi i tij duhet të ishte i pranishëm.
Ironia është se vetë kritika e Dragotit ndaj spektaklit si mekanizëm që ushqen sipërfaqen, përforcohet nga mënyra si ai e formulon reagimin, një gjuhë e fortë, provokuese, që funksionon pikërisht si material për të njëjtin cikël klikimesh dhe reagimesh që ai pretendon se denoncon. Pra, ai nuk qëndron jashtë mekanizmit, ironikisht ai bëhet pjesë e tij.
Sa i përket Ferma VIP, është e saktë ta shohësh si një hapësirë ku individët amplifikohen dhe shpesh reduktohen në role. Por kjo nuk e justifikon reduktimin e një figure komplekse si Mimoza Ahmeti në një karikaturë të vetvetes. Një analizë më e fortë do të ndalej te mënyra si formati i reality TV deformon komunikimin, nxit konfliktin dhe shpërblen ekstremet, jo te patologjizimi i një personi.
Edhe episodi me Klodi Dedja, i interpretuar si “disfatë”, është një lexim i njëanshëm. Indiferenca mund të jetë strategji, por nuk është domosdoshmërisht argument. Ta shpallësh atë si “shkatërrim” të tjetrit është më shumë retorikë sesa analizë.
Pika më interesante në tekstin e Dragotit është në fund, pyetja mbi nevojën kolektive për figura që mishërojnë “zbrazëtinë”. Kjo është një tezë me potencial. Por për ta bërë bindëse, duhet hequr dorë nga sulmi ad hominem dhe kaluar në një kritikë më të ftohtë të sistemit mediatik dhe të ekonomisë së vëmendjes.
Në formën aktuale, ky qëndrim është më shumë një performancë polemike sesa një diagnozë e saktë. Ai ngre çështje reale, por i trajton me mjete që i dobësojnë vetë pretendimet e tij.
Albert Vataj
Mimoza Ahmeti si një grua e plakur keq mendërisht, si e rrjedhur nga truri, e braktisur nga ajo vetëdije kritike që pretendonte dikur se e zotëronte.
Shënim nga një TikTok që e pashë rastësisht dhe më bëri të reagoj i bindur se indiferenca është luksi i atyre që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh.
Ferma VIP është një format i këndshëm, me plot potencial, por si çdo telerealitet i këtij formati përveçse një program argëtimi është edhe laborator antropologjik, ku shoqëria shqiptare ekspozon lakuriqësinë e vet shpirtërore.
Nëse do ta shihja këtë episod të Ferma VIP përmes një lenteje që i afrohet çështjes nga perspektiva e interesit publik, nuk do të ndalesha te individët si figura të izoluara, por te mekanizmi që i prodhon dhe i përdor ata si funksione brenda një aparati më të gjerë.
Spektakli nuk është thjesht argëtim; është një formë e disiplinimit të vëmendjes kolektive, një ritual i përditshëm, ku publiku mësohet të harrojë thelbin dhe të ushqehet me sipërfaqen.
Figura e Mimoza Ahmeti të viteve të rinisë të paktën kështu e ka ndërtuar mitologjinë e saj, një zë që pretendonte të bartë peshën e intelektit, të sensibilitetit, të një distance kritike nga mediokriteti.
Fatkeqësisht ajo Mimozë nuk ekziston më. Hipoteza më e zymtë eshtë që ndoshta nuk ka ekzistuar siç e kemi imagjinuar.
Ajo që shohim sot në ekran është diçka tjetër: si një grua e plakur keq mendërisht, si e rrjedhur nga truri, e braktisur nga ajo vetëdije kritike që pretendonte dikur se e zotëronte. Ajo që ka mbetur është skorja: vetëbesimi pa bazë i ngritur mbi kujtimet e vjetra të lavdisë.
Mimoza Ahmeti në Ferma VIP komunikon me një zhargon që ajo mendon se duket trendy me batuta vulgare me pretendim si femër e çliruar medemek, me ironi të rreme që ngatërrron kotësinë me thellësinë, me besimin se mban realisht kontrollin e hapësirës
Beson ajo se po bën akrobaci intelektuale apo çfare? WTF?
Pashë një episod emblematik gjatë një debati nëse mund ta quajmë kështu me Klodi Dedja’n, kurator arti dhe artist.
Mimoza Ahmeti e pamundur të përballojë debatin me të zgjedh të largohet.
“Po shkoj në tualet të bëj një vepër arti,” deklaroi me arrogancë duke e demaskuar veten si dikush që ka shumë nevojë të fitojë debatet.
Klodi nuk reagoi me zemërim. Nuk e uli nivelin. Ai tha thjesht:
“Nuk kam kohë për ty. Lamtumirë.”
Kjo ishte disfata e Mimozës që tentoi ta injorojë Klodin.
Ai e shkatërroi atë vetëm me indiferencë.
Mimoza, pretenduesja e statusit intelektual, u gjend në pozicionin e homo sacer-it modern: dikush që mund ta injorosh pa asnjë pasojë, që vetëm fyen dhe nganjëherë thotë broçkulla.
Por ajo që e bën fenomenin më interesant është reagimi jashtë ekranit, reaksioni i establishmentit të mediave dhe kulturës shqiptare ndaj prezencës së saj.
Gazetarë, politikanë, artistë, personalitete nga sfera të ndryshme shoqërore nxitojnë ta përshkruajnë me superlativa. Jo sepse shohin diçka të jashtëzakonshme. Por sepse ndjejnë erën e klikimeve, ndjekësve dhe lavdërojnë hijen e Mimozës.
Mimoza vetë, në rolin e intelektuales, do t’i ikishte quajtur primitivë e vulgarë dhe pa kulturë ata personazhet me profil si të sajin sot.
Ajo sigurisht nuk meriton urrejtje, por diagnozën e saktë. Po: Ajo është produkti i natyrshëm i një kulture që i mëson intelektualët e vet se fama e dikurshme është kapital i pashterur.
Pyetja ime nuk është çfarë përfaqëson Mimoza, por pse kemi nevojë vazhdimisht për dikë që ta përfaqësojë këtë zbrazëti?
KOHA JONË SONDAZH

