Këputja e jetës së vëllait, në fjalët e motrës që tregon plagën e thyerjes që ndarja i la në shpirt
Nga Albert Vataj
Evi, motra që tregon thyerjen që ndarja i la. Te fjalët e Evit, te dedikimi saj, dëgjon rrahjen e gjëmimshme të zemrës së thyar çdo motër që humb vëllain, nga çdo bij që ndahet nga nëna, nga çdo bir që i jep lamtumirën e fundit babait
Ky dedikim është një nga ato rrëfime që nuk lexohen vetëm me sy, por ndihen me zemër. Në çdo rresht të tij pulson dashuria e pakushtëzuar e një motre, e cila nuk e ka humbur vetëm vëllanë, por edhe një pjesë të vetes, një copëz të fëmijërisë, të sigurisë dhe të botës së saj të dikurshme.
Është prekëse mënyra se si dhimbja nuk shfaqet si vajtim, por si një kujtesë e gjallë e dashurisë që koha nuk ka mundur ta zbehë. Landi nuk paraqitet thjesht si një i munguar, por si një prani që vazhdon të jetojë në kujtime, në mall, në netët e gjata dhe në lutjet e heshtura të së motrës. Kjo e bën këtë dedikim të rrallë për sinqeritetin dhe pastërtinë e ndjenjës që përcjell.
Evi shkruan:
29 maji i vitit 1997 ishte dita kur u përmbysën ëndrrat e mia fëmijërore dhe ato të adoleshencës.
Dita kur jeta më mësoi se jo çdo rrugë të çon aty ku ke ëndërruar dhe se jo çdo mëngjes lind me dritën që pret.
Atë ditë humba një pjesë të pafajësisë sime.
Humba sigurinë që kisha për botën dhe fitova, pa e kërkuar, peshën e dhimbjes.
Isha një motër e vogël… dhe ai ishte bota ime.
Më kujtohet si sot…
Unë e vogël, me duart e vogla që kërkonin gjithmonë dorën e tij.
Dhe ai, Landi im, që më dukej më i madh se vetë jeta.
Kur kisha frikë, fshihesha pas tij.
Kur qaja, ai më fshinte lotët.
Kur rrëzohesha, më ngrinte pa më lënë të ndihesha e dobët.
Për mua nuk ishte vetëm vëlla…
ishte heroi im.
Më kujtohet si vraponim bashkë,
si qeshnim pa e ditur se një ditë kujtimet do të bëheshin gjëja më e shtrenjtë që do të më mbetej.
Pastaj erdhi ajo ditë…
Një ditë që ma ndau jetën në dy pjesë:
atëherë kur ishim bashkë
dhe gjithçka pas largimit tënd.
Nuk e kuptoja si mund të vazhdonte bota të rrotullohej,
si mund të lindte dielli,
si mund të qeshnin njerëzit,
kur vëllai im nuk ishte më pranë meje.
Unë mbeta ajo motra e vogël…
që ende pret të dëgjojë zërin tënd.
Ka net kur flas me fotografinë tënde.
Ka mëngjese kur zgjohem dhe për një çast harroj se ti nuk je këtu.
Dhe pastaj dhimbja rikthehet si dallgë.
Vëlla…
nuk më mungon vetëm ti.
Më mungon vajza e vogël që isha pranë teje.
Ajo që ndihej e sigurt sepse ti ekzistoje.
Sot kanë kaluar vite,
por zemra e një motre nuk mëson kurrë të jetojë pa vëllanë e saj.
Dhe nëse ekziston një vend ku shpirtrat dëgjojnë,
dua ta dish vetëm këtë:
Motra jote e vogël të kërkon ende në çdo yll të natës, në çdo agim dhe në çdo lutje.
Sepse disa dashuri nuk mbarojnë me largimin.
Ato jetojnë përgjithmonë.
Dhe ti, Landi im, jeton në zemrën time çdo ditë.
Sa e vërtetë dhe sa thonë këto fjalë… Kur ikën një vëlla, bota përmbyset dhe koha ndalon tek ajo ditë e mallkuar. Ky shkrim prek çdo tel të shpirtit sepse përshkruan me një vërtetësi rrëqethëse atë zbrazëti që asgjë nuk e mbush dot: humbjen e vajzës së vogël e të pafajshme që ekzistonte vetëm nën hijen e sigurt të vëllait të madh. Përmes kujtimit të Landit, ky dedikim i bën jehonë dhimbjes së çdo motre që flet me një fotografi dhe që refuzon të pranojë se vdekja mund të ndajë një lidhje kaq të shenjtë.
Asnjë ikje fizike nuk e zbeh dot dritën e një vëllai. Ata mund të mos jenë më këtu për të na fshirë lotët, por mbeten udhërrëfyesit tanë në çdo agim, në çdo yll dhe në çdo lutje. Për sa kohë një motër merr frymë dhe kujton, vëllai jeton përgjithmonë. Landi dhe të gjithë vëllezërit e shndërruar në engjëj do të mbeten përjetësisht heronjtë e pashuar në zemrat e motrave të tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
KOHA JONË SONDAZH

