Viktor Hygo, ai që na mëkoi dashurinë si një ngjarje eterne, përtej kohës dhe materies
Nga Albert Vataj
”Çfarë është Dashuria?”, do të pyeste dikur i madhi Viktor Hygo, duke lënë pas një përgjigje që nuk rreket të japë një përkufizim të ftohtë akademik, por pikturon një tablo të gjallë të shpirtit njerëzor, shpërthim që e endi në altarin e letërsisë botërore, romanin legjendar,”Të Mjerët”:
”Unë takova në rrugë një njeri shumë të varfër, i cili ishte i dashuruar. Kapelja e tij ishte e vjetër, palltoja tepër e përdorur, uji i përshkonte këpucët, dhe… yjet e qiellit përmes shpirtit të tij kalonin.”
Në këtë kontrast të fuqishëm midis rrobave të rreckosura dhe yjeve të pafundëm, Hygoi zbulon sekretin e madh, të magjishmen e engjëllt, hyjnoren e tokësorëve që jetojnë frymshëm, atë që moderniteti e ka vrarë mizorisht, se dashuria nuk është një ngjarje që ndodh brenda botës fizike, por një ngjarje që krijon një botë të re. Një gjithësi që ngjizet në dy kurme zjarri dhe i blaton hyjnoren e ndjenjave mëkimit yjor, ku botët lindin magjishëm dhe kozmosi dehet pluskimeve të vezullimta.
Njeriu i Hygo, copëza e dritshme e shpirtit të tij, është i zhveshur nga çdo pasuri materiale, i flakur tej nga çdo teprim dhe barrë e shtijes solemne dhe maskës.
Këpucët e tij të çara që mbushen me ujë, përfaqësojnë rëndesën e tokës, vuajtjen e përditshme dhe vdekshmërinë tonë, sfidën e të pashmangshmes.
Ai, personazhi i Hygo, dhe çdo qenie që jeton shpirtshëm, i gatshëm të sakrifikohet për atë që beson dhe përjeton, nuk ecën mbi baltë, ai ecën mbi yje, ai jeton në një realitet imagjinar drite që shndërron njeriun në yjësi. Dashuria vepron si një alkimi hyjnore, ajo merr të gjitha mangësitë e realitetit dhe i shndërron në përjetësi.
Kur dikush dashuron, trupi i tij mund të jetë i burgosur në rrethanat të vështira, por shpirti i tij kthehet në një teleskop që kap dritën e universeve më të largëta dhe e vendos shpërthimin e tij të pasionit në qendër të galaksisë.
Ngjarjet njerëzore kanë një fillim dhe një fund. Palltot vjetrohen, kapelat grisen dhe epokat ndryshojnë. Por dashuria, ajo që e hedh qenien tej në galaksi, klasifikohet si “eterne” sepse… Ajo nuk i nënshtrohet ligjeve të konsumit.
Ajo nuk vjetrohet nga koha.
Ajo nuk pranon të zbresë nga Olimpi i perëndishëm i shpirtit.
Ajo lidh të përkohshmen, njeriun, me të përgjithmonshmen, qiellin.
Ajo është imune ndaj privimeve të materies, sa kohë që përbëhet nga lëndë eterne.
Ajo del nga shpirti, t’i përkasë një zemre, për t’u shndërruar në ngjarje galaktike.
I dashuruari i Hygosë nuk ka asgjë, por në të njëjtën kohë ka gjithçka. Kosmologjia e tij e brendshme është e plotë.
Kur yjet kalojnë përmes shpirtit të një njeriu, kjo do të thotë se dashuria e ka zhveshur atë nga egoja, njerëzorja i përket qiellores.
Ai nuk është më thjesht një kalimtar i varfër në një rrugë të kapluar nga errësira, ai është bërë pjesë e harmonisë së universit, rrugëtim në trajektoren e tij.
Dashuria e vërtetë nuk kërkon të zotërojë, ajo kërkon të ndriçojë yje në çdo vështrim, të ndez diej në çdo prekje, të lind shpërthimshëm në çdo kopulim. Ajo e kthen qenien njerëzore në një urë midis baltës së tokës dhe pafundësisë llamburitëse të qiellit.
Pena dhe shpirti prej drite i Viktor Hygoi na kujton se të dashurosh do të thotë të kesh një pasuri që bota nuk ta jep dot dhe as nuk ta merr dot. Nëse bota na vlerëson nga ajo që kemi veshur apo nga ajo që kemi në xhepa, përjetësia na mat me sasinë e dritës që lejojmë të kalojë përmes nesh.
Dashuria mbetet e vetmja ngjarje eterne, sepse edhe kur gjithçka tjetër shembet, yjet vazhdojnë të ndrijnë brenda shpirtit të atij që guxon të dashurojë etershëm.
KOHA JONË SONDAZH

