Aeroporti, ku në 30 vite nuk u humb asnjë valixhe, drejt fundosjes

Aeroporti i Kansait, më efikasi në botë, rrezikon të fundoset. Kjo është ajo që po ndodh me aeroportin ndërkombëtar japonez, i projektuar nga arkitekti italian Renzo Piano, shkruan corriere.it.

I ndërtuar në Gjirin e Osakës mbi një ishull artificial, i inauguruar në vitin 1994 dhe që kushtoi rreth 20 miliardë dollarë, pas më shumë se tridhjetë vitesh ai po përpiqet të qëndrojë mbi ujë në mes të Oqeanit Paqësor.

Rekordi: nuk ka humbur kurrë asnjë valixhe

Swiss Digital Desktop Reklama

Kansai International Airport është aeroporti i tretë më i ngarkuar në Japoni, pas aeroporteve të Tokios Haneda dhe Narita.

Swiss Digital Mobile Reklama

I vendosur 40 kilometra në jugperëndim të qendrës së Osakës dhe rreth 75 kilometra nga Kioto, ai është qendra kryesore për fluturimet low-cost në rajon.

Aeroporti mban edhe një rekord të jashtëzakonshëm: përveçse ka terminalin më të madh në botë, nuk ka humbur kurrë asnjë bagazh.

Në vitin 2024, aeroporti Kansai mori çmimin “World Airport Awards” nga Skytrax për menaxhimin perfekt të bagazheve: zero humbje dhe dorëzim i valixheve në rripin e marrjes brenda 15 minutash nga ulja e avionit.

Por pse një aeroport kaq efikas rrezikon të zhduket?

Arsyeja është tërësisht gjeologjike. Në vitet ’60, rajoni i Kansait po përjetonte një rritje ekonomike më të ngadaltë krahasuar me Tokion. Për të nxitur ekonominë lokale, u vendos të ndërtohej një aeroport i ri.

Aeroporti ndërkombëtar Osaka-Itami, i ndodhur në një zonë urbane shumë të populluar, nuk mund të zgjerohej më dhe shkaktonte ndotje të madhe akustike për banorët.

Pas protestave që kishin shoqëruar ndërtimin e aeroportit Narita, autoritetet japoneze zgjodhën një zgjidhje të paprecedentë: ndërtimin e aeroportit të parë “lundrues”.

Zona e zgjedhur ishte 5 kilometra larg bregdetit të Senshut, në Gjirin e Osakës, rreth 35 kilometra nga qendra e qytetit. Falë këtij pozicioni, aeroporti mund të funksiononte 24 orë në ditë.

Punimet nisën në vitin 1987 me krijimin e një ishulli artificial prej katër kilometrash katrorë, duke përdorur teknikën japoneze “umetate-chi” (tokë e bonifikuar).

Ndërtimi ishte jashtëzakonisht kompleks për shkak të rrezikut sizmik dhe tajfuneve të shpeshta në rajon.

Në kantier punuan 10 mijë njerëz dhe 80 anije për tre vite, për të krijuar një shtresë mbushëse 30 metra të trashë, e mbrojtur nga diga të përforcuara me 8 mijë tetrapodë.

Superura dhe mrekullitë e tjera

Për të lidhur ishullin me tokën u ndërtua një urë 3.7 kilometra e gjatë, me një kosto prej 1 miliard dollarësh.

Ndërkohë, ishulli ishte fundosur me tetë metra, duke e bërë projektin një nga veprat ndërtimore më të kushtueshme në histori në atë kohë.

Terminali 1, i projektuar nga Renzo Piano, konsiderohet një vepër e jashtëzakonshme arkitekturore, me çatinë asimetrike në formën e krahut të një avioni. Me një gjatësi prej 1.7 kilometrash, ai është terminali më i gjatë në botë.

Në vitin 2007 u ndërtua një ishull i dytë artificial për të pritur një pistë të dytë, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e aeroportit.

Deri në vitin 2058 aeroporti mund të fundoset

Që në fillim, inxhinierët dhe arkitektët u përballën me fenomenin e subsidenzës: fundosja graduale e një zone për shkak të peshës së sedimenteve.

Problemi qëndronte te vetë fundi i detit, i përbërë nga një shtresë argjile që dorëzohet nën presion.

Parashikimet fillestare sugjeronin se procesi do të ishte i ngadaltë dhe i menaxhueshëm. Por nuk ndodhi kështu.

Ishulli filloi të fundosej shumë më shpejt nga sa pritej. Në tetë vitet e para ai ishte zhytur tashmë 12 metra, duke i detyruar ekspertët të ndryshonin projektin për të ngadalësuar procesin.

Një studim i vitit 2015, i realizuar nga inxhinierë amerikanë, parashikon se infrastruktura mund të fundoset në Oqeanin Paqësor deri në vitin 2058.

Zgjidhja e përdorur nga inxhinierët japonezë është monitorimi i vazhdueshëm.

Përdoren sisteme që mbledhin të dhëna në kohë reale dhe ndihmojnë në parashikimin e ngjarjeve të ardhshme.

Gjithashtu përdoren sisteme pompimi për të devijuar ujin që valët shtyjnë drejt ishujve dhe për të larguar ujin nga sipërfaqja e aeroportit gjatë reshjeve të forta.

Objektivi afatgjatë është modifikimi i shtratit detar mbi të cilin mbështetet ishulli.

Për këtë arsye, po pompohet edhe rërë nga fundi i detit për të përshpejtuar forcimin e argjilës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?