Qori në ”Koha Jonë-Debat”: Protestat kundër projektit në Zvërnec janë një revolucion paqësor dhe demokratik
I ftuar mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Koha Jonë-Debat”, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, iu përgjigj pyetjeve të Nikoll Lesit për protestat që po zhvillohen kundër projektit në Zvërnec. I pyetur nëse qëndron ai pas organizimit, Qori mohoi të jetë protagonisti kryesor i tyre, duke theksuar se ato janë shprehje e pakënaqësisë qytetare.
“Unë jam thjesht një nga mijërat që janë në protestë dhe që në modestinë tonë japim kontribut”, u shpreh ai, duke përmendur gjithashtu angazhimin në protesta të zhvilluara në Zvërnec, Rrjoll dhe zona të tjera të vendit.
Gjatë intervistës, Lesi komentoi se Qorri ka “trazuar” si kryeministrin Edi Rama ashtu edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kreu i Lëvizjes Bashkë u përgjigj se shqetësimi i klasës politike vjen nga reagimi i qytetarëve dhe jo nga figura e tij personale.
Lesi: Ke trazuar Ramën dhe Berishën, ku do të dalësh?
Qori: Kjo është gjë shumë e mirë, që të këqinj nuk e bëjnë gjumin rehat, ata që e kanë vjedhur Shqipërinë për mbi 30 vite, sot ndjejnë shqetësim. Sigurisht që jo nga unë, por nga një popull i tërë që jo vetëm ka dalë në rrugë, por edhe pret me entuziazëm të madh atë që po ndodh. Unë jam thjesht një nga mijërat që janë në protestë dhe në modestinë tonë, japin kontribut, siç dhanë në Zvërnec, në Rrjoll, kudo në Shqipëri. Kjo protestë po shtrihet dhe po zgjerohet në Tiranë, ka vënë në krizë qeverinë, por edhe sistemin politiko-ekonomik dhe mediatik në vend. Kjo që po ndodh është një revolucion paqësor dhe demokratik.

KOHA JONË SONDAZH

