Sadushi prezanton përvojën shqiptare në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Sokol Sadushi, po merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Aktiviteti, i organizuar nga Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka mbledhur drejtues të gjykatave të larta, gjyqtarë dhe ekspertë të drejtësisë nga 13 vende të rajonit.
Gjatë diskutimeve, Kryetari Sadushi prezantoi përvojën shqiptare dhe zhvillimet më të fundit në sistemin gjyqësor, duke u ndalur te reformat për rritjen e transparencës, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore me standardet evropiane.
Në fokus të konferencës janë sfidat kryesore me të cilat përballen sistemet gjyqësore evropiane, përfshirë forcimin e besimit të publikut te drejtësia, garantimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit, zbatimin e jurisprudencës evropiane në rendet juridike kombëtare, si dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në administrimin e drejtësisë.
Konferenca shërben si një forum i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet gjykatave të larta të rajonit, me synimin për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësore dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut.

KOHA JONË SONDAZH

