Rama: Kampusi i ri i universitetit të Durrësit qendër komunitare studentore në funksion 24 orë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e pesë projekteve finaliste të konkursit ndërkombëtar për kampusin e ri universitar të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, ku vlerësoi procesin si pjesë të vizionit për zhvillimin urban dhe arsimin e lartë në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se konkurse të tilla ndërkombëtare janë shprehje e ambicies për transformimin e vendit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim. Ai u ndal veçanërisht te bashkëpunimi mes arkitektëve ndërkombëtarë dhe profesionistëve shqiptarë, duke e cilësuar këtë nismë si “universitetin më të madh të hapur të zhvillimit urban në Evropë”.
“Jemi në një konkurs ndërkombëtar të radhës në vrazhdën e dhjetëra konkurseve të tilla të cilat janë shëmbëlltyrë e ambicies sonë për Shqipërinë dhe prej të cilave lindin mundësi të jashtëzakonshme për zhvillime që ndryshojmë, jo vetëm cilësinë e jetës së atyre që pastaj bëhen përdoruesit e asaj që ndërtohet, por ndryshojnë edhe mënyrën e të parit të vetës dhe së ardhmes së një komuniteti. Jemi shumë krenarë, meqë jemi këtu dhe në një universitet, dua të theksoj këtë se kemi krijuar universitetin më të madh në Evropë të hapur të zhvillimit urban, duke bërë bashkë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh dhe studiosh prestigjioze ndërkombëtare me studio lokale, me arkitektët dhe arkitektet e reja të Shqipërisë. Është një universitet i hapur, pasi u jep mundësinë të gjithë atyre që u janë përkushtuar arkitekturës dhe zhvillimit urban në vendin tonë që të ballafaqojnë dijet e tyre me bindjet dhe dijet e arkitektëve dhe studiove që janë në pararojë të zhvillimeve urbane në botë. U jep mundësi të rriten profesionalisht të mësojnë duke bërë punën dhe jo thjesht teorikisht, të shoqërojnë në gjithë procesin krijues dhe pastaj në procesin e zbatimit arkitektë dhe profesionistë të nivelit më të artë ndërkombëtar. Ndërkohë që krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që ata mund të kenë një strehim më të arsyeshëm, por nga ana tjetër të socializohen dhe që zhvillimi akademik të ecë paralel edhe më zhvillimin e tyre njerëzor dhe social”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

