FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Ilir Kulla: Një shpjegim i detyruar për Dritan Goxhajn

Nga Ilir Kulla

Një shpjegim i detyruar për Dritan Goxhajn.

Do ta nis nga njohja me Tanin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë luftës së Kosovës, dikur nga marsi i vitit 1999, më takoi të takohesha me Sabitin (Gecin), i cili, përtej emrit që kishte si bashkëvendës dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit, kishte edhe emrin e një njeriu të ashpër, që sidomos një pjesë e atyre afër LDK-së e kishin shumë frikë, me të drejtë ndoshta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sabiti kishte qenë me paterica, sepse ishte i plagosur, dhe unë mendova se do të kishte disa njerëz që do ta shoqëronin. Në fakt, ishte vetëm një djalë i ri, i vogël e i hollë, që e shoqëronte. Ai ishte ky Dritani i sotëm.

Në atë moment nuk e njoha, vetëm se kuptova që ishte nga Shqipëria.

Disa ditë më vonë po flisja me Rramush Tahirin (i ndjeri), ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, i cili më kujtoi që Dritani ishte ai piloti ushtarak i vogël që, bashkë me pilotin tjetër, të ndjerin Sallaku, na kishte transportuar në Spitalin Ushtarak (ku zëvendësdrejtor ishte Presidenti i sotëm Begaj) në Tiranë, kur ishte plagosur gazetari francez. Sheshin ku do të ulej helikopteri e kishte hapur dhe garantuar me kallash në dorë i ndjeri Fatmir Haklaj, së bashku me Feriz Kernajën.

Më vonë u informova dhe mora vesh që Tan, piloti ushtarak, ishte djali i njërit nga pedagogët tanë në shkollën ushtarake, Dilaver Goxhajt, i cili kishte shkuar në Kosovë dhe ishte bërë zëvendësi i Shefit të Shtabit, Bislim Zyrapit. Bashkë me të kishin shkuar edhe disa oficerë të tjerë.

Dritani, kur kishte lënë aviacionin ushtarak dhe kishte shkuar në UÇK, kishte marrë me vete edhe tre oficerë të rinj, shokë të vet dhe pilotë ushtarakë. Mosha bën të vetën; ishin të rinj. Lufta e kishte çuar adrenalinën patriotike në maksimum kudo që kishte shqiptarë.

Përfundon lufta. Qeveria e Përkohshme vendoset në Prishtinë. Azem Syla, komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, bëhet ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohshme, me kryeministër Hashim Thaçin.

Daja (Azemi), ministri nga Drenica, kishte marrë këshilltarë dy ushtarakë nga Shqipëria, Dilaver Goxhajn dhe Spiro Butkën, që kishin qenë në UÇK.

Për këtë arsye, familja e vogël e Dilaverit, bashkëshortja, ushtarake edhe ajo, dhe motra Rezi, studente IT-je, u vendosën në Prishtinë.

Ritakohem disa herë me Dritanin dhe disa nga shokët e tij të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria për biseda të lira politike, por asgjë më shumë.

Fillon lufta në Preshevë…

Fillon lufta në Preshevë. Unë punoja për agjencinë ANSA në Kosovë dhe shef kisha Carlo Bollinon, i cili më thotë:

– Duhet, s’bën, të shkojmë e të bëjmë një reportazh në luftën e UÇPMB-së.

– Po, – i thashë, – u lidha me dikë që më tha se dy nga komandantët i njihja mirë: Tan Goxhajn dhe Agron Haradinajn, ndjesë pastë vëllain e Nasimit.

Epo, thashë, si rrihet këtij? Do ta vrasin andej. Djalë i vetëm.

Nejse, nisemi me Carlon, kalojmë kufirin, ku ushtarët amerikanë ulërinin:

– Ku po shkoni? Kush jeni?

E kështu me radhë…

Diku na ndalon një njësi e UÇPMB-së. Ishte Dritan Zheqi, shoku i Tan Goxhajt, i cili ishte pak më andej, bashkë me Agronin. Ata më njohën dhe u bënë me dorë ushtarëve:

– Lërini të kalojnë.

Më njihnin mirë.

Me të drejtë Dritani kishte inat me Shqipërinë në atë kohë, pasi qeveria shqiptare, me Metën kryeministër dhe Hajdaragën ministër, i kishte përzënë nga ushtria oficerët shqiptarë, sepse kishin braktisur ushtrinë dhe kishin shkuar në UÇK.

Mbaron lufta në Preshevë dhe Qeveria e Përkohshme në Kosovë ishte tërhequr. Tashmë ishte qeveria e UNMIK-ut dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë, në shtëpinë e tyre në rrugën “Bardhyl”, ish-ushtarakë të papunë.

Dritani rrinte në Prishtinë dhe, një ditë të bukur, kthehet në Tiranë. Del lajmi se Policia e Tiranës kishte arrestuar një terrorist nga Kosova.

Bollino dhe Çani më thonë mua në redaksi:

– Shko ti dhe Artan Hoxha, se ti njeh Kosovën e Tani policinë e Tropojën.

Ç’të shoh? Te Drejtoria e Policisë së Tiranës “terroristi” ishte Tani.

Sokol Bizhga e kishte ndaluar, sepse “letrat” ia kishte bërë Sokol Bare, ish-zëvendësdrejtor i SHISH-it në atë kohë, ish-oficer policie edhe ai.

Unë, që i njihja intrigat e Kosovës, thashë me vete se do të ishte përzier në ndonjë konflikt të brendshëm post-UÇK në Kosovë, sepse në atë kohë kishte shumë të tillë, dhe i kishin bërë ndonjë intrigë.

Policia manipulon median e Tiranës dhe të nesërmen Tani ishte në burg, “terrorist i rrezikshëm”, madje i lidhur me Al-Kaedën, sepse Irani nuk ishte ende në modë.

Policia jonë kishte thirrur edhe oficerë të Ambasadës Amerikane për t’u treguar “trofeun” terrorist. Ata e panë, e njohën, qeshën dhe u larguan duke u thënë se ky mund të kishte lidhje me gjithçka, por jo me terrorizmin.

Takoj babanë e vet, Dilaverin, për një kafe. I mërzitur më thotë:

– Këtu këta të Berishës na përsekutuan sikur të ishim serbë, se jemi nga Jugu. E ju socialistët na përsekutoni se jemi lebër, se jeni lidhur me grekët.

Helbete, kryetar ishte Fatos Nano dhe kryeministër një më jugor se Dilaveri, që ishte nga Golemi i Gjirokastrës: Ilir Meta nga Cepani i Skraparit.

Nejse, një vit më vonë Tani, që ishte arrestuar me shumë bujë, lirohet pa bujë fare. I kishin rënë të gjitha akuzat dhe, si t’ia bënin, e dënuan se kishte braktisur ushtrinë si oficer i aviacionit dhe kishte shkuar në UÇK.

Natyrisht, i mërzitur, në vitin 2002, bashkë me familjen shkojnë në Prishtinë, ku disa ish-bashkëluftëtarë i ndihmojnë ekonomikisht me shtëpi e punë dhe mbijetojnë.

Rezarta mbaron studimet në Prishtinë.

Në vitin 2005, ne socialistët kishim dalë në opozitë dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë.

Tani, bashkë me ta, si njeri asket, me pak pretendime, hante bukë një herë në ditë, me shumë pak shokë. Dilte pak dhe një ndër ata që e merrte më shumë të dilte isha unë. Rrinte me mua kur kisha kohë.

Më thotë:

– Më ndihmon dot? Jemi të gjithë pa punë. Motra ka mbaruar shkëlqyeshëm inxhinierinë dhe nuk ma marrin në punë.

E marr në telefon, shkoj te zyra e Lulzim Bashës dhe i them se vajza ishte Rezarta nga Gjirokastra.

Luli më thotë:

– Urgjent na duhen njerëz të rinj të përgatitur, aq më shumë që është vajza e Dilaverit.

Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Infrastrukturës, kishte ardhur nga Kosova.

– E di, – më tha, – që janë nga Jugu, familje socialistësh, por janë patriotë.

Kështu, me PD-në në pushtet, të shkretët u bënë edhe socialistë.

Dy vjet më vonë i shkoj në dasmë motrës, Rezit, në Pezë-Helmës dhe takoj edhe nënën e Dritanit, e cila më thotë:

– O Ilir, më kanë ngelur edhe pak vite për pension dhe unë jam inxhiniere ushtarake kimike. Kam dëgjuar se po kërkojnë prapë kimistë në ushtri. Ti, meqë je këshilltar i Sigurisë Kombëtare, a mund t’i thuash gjeneralit Lad Qiriazi?

I them gjeneralit dhe, me kënaqësi, e merr në punë, aq më shumë që e njihte zonjën.

Tashmë, me dy veta në punë dhe pak të sistemuar, familja ishte si më mirë.

Jeta ishte modeste në periferi të Tiranës, por si çdo familje ish-ushtarakësh, ia dilnin.

Një vit më vonë, Dritani mundohet të emigrojë në Holandë. Rreth një vit qëndroi atje. Katër gjuhë të huaja dhe me eksperiencë, ndoshta do të rregullohej.

Nuk zgjati shumë, se nuk i printe fati. Dilaveri, babai, sëmuret dhe ka nevojë për katër bypass-e.

Djali i vetëm kthehet të rrijë me familjen dhe prindërit.

Ndërkohë, unë me hallet dhe punët e mia kisha krijuar familje dhe shiheshim shumë rrallë, por do t’i shkoja për ndihmë Dritanit dhe shkojmë ta vizitojmë në spital.

Mbaj mend që kam shkuar, më duket, me prefektin e sotëm, ish-prokurorin e atëhershëm, mikun tim Shkëlqim Hajdari.

E shoh Dilaverin. Ishte keq, por do t’ia hidhte. Kishin ardhur edhe disa njerëz nga Kosova ta vizitonin.

Pijmë një kafe me Dritanin, i cili më thotë:

– S’kam ç’të bëj tani. S’shkoj dot më askund. Duhet të rri, se prindërit po bëhen të moshuar.

U përpoqa t’i gjej një punë te Casa Italia si përgjegjës sigurie, ku vazhdoi ca kohë dhe pastaj u largua.

Punoi ca kohë si shef sigurie te Belle Air dhe më pas Denion Ndrenika, gazetari ortodoks, mik i Dritanit nga Kosova, e merr të punojë te Siguria e Aviacionit Civil.

Dritani, me karakterin e vështirë që kishte, sepse nuk i firmoste disa procedura aspak transparente drejtorit të madh, partia, këtë radhë LSI-ja, vendos ta largojë.

Listat i kishte bërë Elona Guri, sekretare e rëndësishme në parti. Meqë drejtoria i përkiste LSI-së, kishin vendosur ta hiqnin.

I shkoj Elona Gurit dhe i them:

– Njeriun më asket dhe më të pakorruptueshëm keni bërë ndërmend të hiqni? Si s’ju vjen turp?

– Jo, – më thotë Elona, – më kanë thënë që janë familje socialistësh. T’ia gjejnë ata një vend pune.

I thashë:

– Të kanë gënjyer. Është thjesht një njeri fatkeq, pilot i mirëshkolluar, patriot dhe hallexhi.

Nejse, nuk ndryshoi gjë. Pak më vonë menduan ekipi patronazhist ta nxirrte me LSI-në dhe ta hiqnin nga puna.

Ndërkohë kishte njohur një pedagoge dhe ishte martuar.

Më merr një ditë në telefon dhe më thotë:

– Duhet të të qeras, se u bëra baba me djalë.

Shkova dhe e urova me kënaqësi.

E pyes:

– Ç’u bë për punë?

– S’ka problem. Gruaja është pedagoge. Vetë bëj ca përkthime. Një shtëpi me qira e kemi marrë. S’kemi lekë të marrim dado. Pak më ndihmon mami. Merrem me rritjen e djalit.

Mu bë qejfi sinqerisht.

E takoj kur arrestohet Hashimi. Me Rexhë Jakupin e të tjerë ishte mërzitur shumë.

Më tha:

– Turp! Ç’është kjo punë?

Unë, si oportunist, i them:

– Po shih punët e tua.

– Jo, – më thotë, – duhet t’u thuash Presidentit e të tjerëve të mbajnë qëndrime të forta.

E shoh që kërkonte dokumente, shkruante, jepte intervista kundër Prokurorisë e Gjykatës dhe, ditën kur dënohet Sali Mustafa, mik i Dritanit, ai godet me emër e mbiemër disa nga dëshmitarët e rremë të gjykatës nga Shqipëria dhe Kosova.

E marr në telefon dhe i them:

– O Tan, mos u merr me atë punë, se gjykatë speciale në Kosovë e këtu po të marrin dhe po të këpusin në burg.

E ashtu ndodhi.

Një ditë të nxehtë vere, para tre vitesh, më merr miku im, prof. Ermir Gjinishi, dhe më thotë:

– E morën në burg komandantin.

– Kë mor? – i them.

– Tanin.

Shkoj, takoj prindërit e moshuar, të mërzitur shumë, gruan me fëmijën e vogël, miq nga Kosova dhe Maqedonia që më merrnin në telefon.

Ç’të bëja?

I shkoj Erion Veliajt në zyrë, sepse nëna e tij, ushtarake, kishte punuar me babain e Dritanit në Akademinë “Skënderbej”.

Erioni merr në telefon Ulsiun, ministrin e Drejtësisë.

– S’kam ç’të bëj, – thotë Ulsiu. – Haga është sipër meje.

Shkoj në gjyq. Kishin ardhur gjashtë veta nga Gjykata e Hagës dhe një nga Ambasada Amerikane për ta ekstraduar në Hagë, sepse kishte thënë emrat e dëshmitarëve.

Jo se nuk i dija edhe unë, por thjesht s’ma mbante.

Shyqyr që Gjykata e Apelit nuk e ekstradoi, se do të ishte akoma në burg.

Në këto kohë e kam parë që më bënte “konkurrencë” nëpër studio televizive si analist ushtarak, sepse e vërteta është që punon shumë dhe është goxha i përgatitur.

Herë ia fut kot e herë jo, por, tek e fundit, si të gjithë ne që dalim nëpër ekranet televizive dhe marrim edhe ndonjë honorar.

E shoh para ca kohësh që ishte bërë hero i TikTok-ut. Se ç’nuk i kishte thënë Fredi Belerit; i kishte thënë:

– Ti je agjent i SHISH-it.

Mbrëmë, teksa kthehesha nga Kosova, më nis një mik në WhatsApp kërkesat e protestës me zërin dhe figurën e Dritanit.

Kur mbërrij në Tiranë, shoh kundërpërgjigjen e Taulantit, shokut tim të vjetër socialist, që e përshkruante si agjent të Iranit.

Në fakt, me jetën e Dritanit, kjo i mungonte. Agjent të Izraelit i kishin thënë njëherë para 15 vitesh, sepse shoqëronte një mikun tim ushtarak izraelit, Nir Shaul.

I mungonte vetëm kjo e Iranit.

Po mirë, e kuptueshme. Në këtë tollovi që është krijuar, gjithçka gjen vend dhe gjithçka mund të thuhet.

Tani kam një pyetje retorike:

Kush nga ju, po të kishte pasur një jetë si ajo e Dritanit, i shkolluar, jashtë vendit, me katër gjuhë të huaja dhe me kaq shumë halle, a do të ishte sot në protestë apo jo?

Sa për mua, unë ia njoh mirë mendjen.

Ai s’ka frikë asnjë lloj pushteti, asnjë lloj kërcënimi. Banda e banditë jo e jo, të çdo lloji dhe me sa lekë të duan.

S’ka miliarder që ta kërcënojë, sepse është lloji i njeriut që s’i do lekët dhe luksin.

Si asket që është, shkon e rri i vetëm në mal.

Kështu që, duke i vënë një “akuzë” më shumë, nuk e dobësoni, vetëm e forconi.

Njerëz si Dritani, me të mirë merresh vesh. Me të keqe s’ia del dot kurrë.

Sepse nuk janë oportunistë intelektualë si UNË.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?