Shqipërisë i duhet Kosova para Ukrainës së Lirë!

Deklarata e Volodymyr Zelenskyt, Presidentit të Ukrainës, në Beograd se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën meritonte një përgjigje të qartë dhe të fortë nga kryeministri i Shqipërisë. Por Edi Rama ka zgjedhur një tjetër objektiv për tonin e tij më të ashpër: jo presidentin ukrainas që refuzon njohjen e Kosovës, por shqiptarët në Tiranë dhe Prishtinë që e kritikuan atë.

Në reagimin e tij, Rama e quan Zelenskyn “miku im i dashur”, ndërsa shqiptarët që reagojnë ndaj qëndrimit të tij për Kosovën i etiketon si “nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm”.

Pikërisht këtu lind pyetja: pse kaq shumë mirëkuptim diplomatik për Zelenskyn dhe kaq shumë ironi për shqiptarët që kërkojnë mbrojtjen e interesave të Kosovës?

Swiss Digital Desktop Reklama

Askush nuk është i detyruar të mbështesë agresionin rus vetëm sepse Ukraina nuk njeh Kosovën. Shqipëria mund dhe duhet të mbrojë parimin e sovranitetit dhe të kundërshtojë pushtimin e një shteti tjetër. Por kjo nuk do të thotë se Tirana zyrtare duhet të relativizojë një qëndrim të Kievit që bie drejtpërdrejt ndesh me një interes themelor të shqiptarëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për kombin shqiptar, Kosova nuk është një çështje e largët gjeopolitike. Kosova është pjesë e historisë, identitetit, sigurisë dhe interesit kombëtar shqiptar. Për Shqipërinë, mbrojtja e shtetësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës duhet të ketë një peshë të veçantë në politikën e jashtme.

Rama vetë pranon se “Ukraina është gabim për Kosovën”. Por përballë një deklarate kaq të prerë të Zelenskyt, kryeministri shqiptar rezervon fjalët më të forta jo për presidentin ukrainas, por për ata shqiptarë që ndihen të fyer ose të zhgënjyer nga mosnjohja e Kosovës.

Mbështetja për Ukrainën dhe kritika ndaj qëndrimit të saj për Kosovën mund të bashkëjetojnë. Madje, pikërisht këtë duhet të bëjë diplomacia shqiptare: të mbështesë të drejtën e Ukrainës për sovranitet dhe njëkohësisht t’i kërkojë Kievit, pa komplekse dhe me këmbëngulje, të njohë të njëjtën të drejtë për Republikën e Kosovës.

Sepse këtu ekziston edhe një kontradiktë politike që nuk mund të anashkalohet. Shqipëria i kërkon botës të respektojë sovranitetin e Ukrainës, ndërsa Ukraina vazhdon të mos njohë shtetin e Kosovës. Kjo nuk e justifikon në asnjë mënyrë agresionin ndaj Ukrainës, por i jep Shqipërisë të drejtën dhe detyrimin politik që ta ngrejë çështjen e Kosovës me forcë në marrëdhëniet me Kievin.

Kryeministri i Shqipërisë nuk ka për detyrë të jetë avokati i Zelenskyt përballë shqiptarëve. Detyra e tij e parë është të përfaqësojë interesat e Shqipërisë dhe, në politikën rajonale, të mbrojë fuqishëm interesin strategjik për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Edhe me Kushtetutë, Shqipëria e ka se mbron të drejtat e shqiptarëve, kudo në botë.

Nëse Zelensky deklaron nga Beogradi se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, Tirana zyrtare duhet të kërkojë shpjegime dhe ndryshim qëndrimi. Mund të thuhet njëkohësisht “Ukrainë e lirë”, por duhet të thuhet edhe më fort: Kosovë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht. Dhe pikërisht Ukraina që e ka pësuar duhet të jetë e para që duhet ta njohë Kosovën.

Sepse solidariteti me Ukrainën është një zgjedhje e rëndësishme politike dhe parimore e Shqipërisë. Por Kosova, për shqiptarët, është një interes kombëtar i drejtpërdrejtë.

/Q.M./

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?