Ben Blushi: A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh sipas Marko Rubios?
Nga Ben Blushi-
Deklarata e Sekretarit Amerikan Marko Rubio, se shtetet që nuk prodhojnë dot ilace dhe anije nuk do egzistojnë, duhet t’i ketë vënë në panik nja 40 vende të botës që kanë më pak se 3 milion banorë.
Nga gjithë këto shtete, gjysma nuk kanë det dhe prandaj nuk kanë pse prodhojnë anije, kurse gjysma tjetër që kanë det nuk prodhojnë as anije dhe as ilace.
Megjithëse nuk është kërcënim, deklarata e Marko Rubios është paralajmërim.
Duket sikur koha e shteteve të vegjël që u krijuan në dy qind vitet e fundit nga gërmadhat e perandorive po skadon.
Në vitiin 1900 bota kishte vetëm 77 shtete nga 195 që ka sot. Evropa kishte vetëm 24 shtete nga 44 që janë sot, kurse Afrika kishte vetëm tre shtete nga 54 sot.
Por tani që ka më shumë shtete bota ka më shumë lufëtra, më shumë konflikte dhe më shumë pasiguri.
Kush lexon librin e mrekullueshëm të Stefan Zweig, Bota e Djeshme, e kupton sa të qetë ishin evropianët që jetonin në një rend pa shtete të vogla.
Por edhe pa e lexuar Zaeigun, shtetet e mëdha janë të bindura se shtetet e vogla kanë lindur vetëm për një arsye: për tua nxirë jetën shteteve të mëdha.
Kështu mendojnë turqit kur shohin hartën e Ballkanit, gjermanët kur shohin hartën e Evropës dhe rusët kur shohin hartën e Azisë.
Pa dyshim kështu mendojnë edhe amerikanët sa herë ju duhet të ulen në tavolinën e NATO-s bashkë me dhjetëra shtete lilipute të cilat kanë më pak armë se shoqata e gjuetarëve të Teksasit.
Prandaj duke dëgjuar Marko Rubion mu duk sikur po dëgjoja një njeri që e ka humbur durimin.
Amerika e thotë hapur se duhet të aneksojë Kanadanë, Rusia po e gëlltit Ukrainën me shpejtësinë e një hipopotami, kurse Kina mezi po pret ta fshijë Taiwanin nga faqja e dheut.
Kur të mbarojë kjo fazë, gjuetija e shteteve të mëdha do vazhdojë sipas doktrinës Rubio : kush nuk ka ilace vdes, kush nuk ka anije mbytet.
Dhe nëse kjo recetë e frikshme kthehet në doktrinë, cdo njeri që jeton në Shqipëri duhet të jetë në panik.
Shqipëria konsumon 5000 ton ilace në vit, por 90 për qind të tyre i blen jashtë. Me këto ritme as për 100 vitet e ardhshëm ne nuk do prodhojmë dot ilacet që na duhen.
Sipas kritereve të Marko Rubios nuk duhet të ezgistojmë.
Atëherë si do mbijetojmë?
Si mund të bëhemi një shtet pak më i madh që t’i shpëtojmë gllabërimit nga perandoritë që prodhojnë ilace dhe anije?
Ndryshe nga qindra vende të vogla të botës ne kemi një mundësi.
Kjo mundësi është të sillemi si vendet e mëdha. Me pak fjalë të gllabërojmë vende të tjera para se të gllabërohemi vetë.
E di që shumë njerëz nuk do ta gëlltisin dot këtë që po them.
Kombi ynë romantik e ka kthyer dorëzimin pa kushte në një medalje teneqeje.
Ne jemi edukuar të besojnë se duke mbetur të vegjël u bëmë më të mirë, ndërkohë që fqinjët që na morrën territore u bërë të këqinj.
Asnjëra nuk është e vërtetë.
Bota nuk njeh shtete të mira dhe shtete të këqija, por shtete të mëdha dhe shtete të vogla.
Gjermanët ishin shumë te këqinj, por meqë mbetën të mëdhenj tani janë të mirë.
Në Luftën e Dytë Botërore japonezët ishin shumë të këqinj tani janë shumë të mirë.
Të mëdhenjtë kanë gjithnjë të drejtë, kurse të vegjëlit e kanë gabim edhe kur kanë të drejtë.
Prandaj meqë nuk prodhojmë dot as ilace dhe as anije, për t’u bërë të mëdhenj ne duhet të bëjmë dicka tjetër.
Së pari të bashkohemi me Kosovën.
Ky është i vetmi opsion që zgjidh dy ngërce njëkohësisht:
Edhe hallin e Kosovës edhe hallin e Shqipërisë.
Sipas kritereve të Marko Rubios, Kosova është aq e pashpresë saqë nuk mbijeton dot.
Madje ajo është aq e vogël saqë jo vetëm nuk prodhon dot as anije dhe as ilace, por nuk zgjidh dot asnjë krizë.
Kosova po thyen rekord botëror duke shkuar në zgjedhje katër herë për dy vjet.
Nuk ka president, nuk ka qeveri, nuk ka parlament. Asnjë pushtues nuk do ta qeveriste dot më keq.
Megjithëse ndërkombëtarët nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, njerëzit që e sabotojnë këtë projekt jetojnë kryesisht në Kosovë.
Ndryshe nga njëzet vjet përpara, shumica e kosovarëve nuk e do bashkimin me Shqipërinë.
Ata mendojnë se ne nuk jemi sa duhet të purifikuar, të ndershëm dhe nuk e mbrojmë sa duhet natyrën tonë.
Po të pyeteshin me referendum, 65 për qind e kosovarëve do refuzonin të jetonin në një shtet të cilin, sipas tyre, e drejton mafia në bashkëpunim me grekët.
Mënyra si na shohin kosovarët i ngjan fabulës së vëllait të vogël që nuk do të jetojë në një shtëpi me vëllain e madh sepse kur ishin këmbëzbathur, i madhi vodhi një palë këpucë për të dy.
Por nëse do e merrnim seriozisht paralajmërimin e Marko Rubios edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të nguten.
Bashkimi e shpëton Shqipërinë nga mallkimi i shtetete të vogla, kurse Kosovën nga falimentimi i sigurt dhe kërcënimi i përditshëm i Serbisë.
Ndërkaq mundësia jonë për t’u bërë një shtet pak më i madh nuk mbaron në Kosovë.
Maqedonia është një opsion i hapur.
Evropa nuk ka pasur kurrë një shtet më të panevojshëm se ky.
Maqedonia është një sajesë që u krijua atëherë kur mbetjet e saj jugosllave nuk mund t’i ngjiteshin askujt.
Jugosllavia u prish me një kusht : asnjë copë e saj nuk duhej t’i bashkohej një shteti fqinjë.
Kështu Maqedonia u bë shtet nga halli.
Natyrisht ne nuk e pushtojmë dot Maqedoninë, por duhet të lutemi cdo ditë që ky shtet të prishet nga brenda dhe gjysma e saj të bashkohet me Shqipërinë.
Por edhe në këtë rast ka një pengesë : shqiptarët e Maqedonisë.
Ndryshe nga kosovarët që mendojnë se ne nuk jemi shumë të pastër moralisht, shqiptarët e Maqedonisë mendojnë se ne nuk jemi sa duhet islamikë.
Për fat te keq islamizmi ekstrem i shqiptarëve të Maqedonisë është faktori kryesor që e mban këtë shtet në këmbë.
Të gjitha partitë shqiptare atje janë një dështim i komanduar me sukses nga maqedonasit.
Përpjekjet e tyre nuk kanë sjellë asnjë përparim të matshëm dhe për fat të keq shqiptarët e Maqedonisë kanë jetuar më mirë në Jugosllavi se sot.
Atëherë ishin laikë të varfër, sot janë islamikë të mjerë.
Islami radikal që i largon ata nga Shqipëria tani po bëhet edhe politik.
Duket paradoksale, por deshqiptarizmi i Islamit tradicional po i mëson shqiptarët e Maqedonisë të vendosin fenë para kombit dhe Maqedoninë që e ushqen Islamin, para Shqipërisë që nuk e ushqen.
Prandaj mundësia për ti shpëtuar paralajmërimit të Marko Rubios kalon nga shfarosja politike e kinse puritanëve kosovarë që na shohin si të ndotur dhe maqedonasve islamikë që na shohin si myslimanë të papastër.
Nëse eskimezët e Groenlandës janë interes strategjik i Amerikës atëherë edhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë duhet të jenë interes strategjik i Shqipërisë.
Shqipëria duhet të ketë një politikë të re kombëtare për këto dy shtete. Miratimi pa kushte i defekteve të vëllait të vogël nuk është më politikë.
Infektimi i tyre ideollogjik është i barabartë me tolerimin e ndotjes së ujërave të lumit ku pi ujë.
Cështja është se nuk kemi shumë kohë.
Nëse ne nuk lëvizim do lëvizin ata.
Kinse puritanët e Kosovës dhe islamikët e Maqedonisë do përpiqen të na bëjnë si vetja.
Dhe provën gjenerale kanë 70 ditë që e shfaqin në Bulevardin e Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

