Shkodër, takim kushtuar kujtesës kombëtare, trashëgimia kulturore në fokus të “Antikuariat e Kristale”
Në Bibliotekën e Famullisë “Zoja e Shkodrës” u zhvillua veprimtaria kulturore “Antikuariat e Kristale”, me autor Gjergj Marena, e cila solli në vëmendje vlera të kujtesës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare.
Në qendër të aktivitetit ishte referimi i Gjergj Marenës me temë “Kujtesa kombëtare shqiptare në tregjet e antikuarëve italianë”, duke trajtuar praninë dhe vlerën e objekteve që lidhen me historinë dhe kulturën shqiptare në tregjet e antikuarëve jashtë vendit.
“Janë dy pjesë që lidhen njëra me tjetrën, sepse si antikuarët që kërkohen në antikuariat, ato nuk gjenden në qiell të hapur, por duhet t’i kërkosh gjithkund. Po ashtu edhe kristalet nuk ndodhen në qiell të hapur, por duhet të gërmosh në tokë, t’i gjesh, t’i përpunosh dhe t’i nxjerrësh që të shpërndajnë dritën e tyre.” – Gjergj Marena, Hulumtues
Pjesë e programit ishte edhe referimi “Kristale” nga Zija Vuka.
“Kushdo që ndihmon letërsinë dhe artin është hero, sidomos sot, në këto kohë kur gjithsecili prej nesh e di se sa e vështirë e ka çdo artist ose çdo punëtor kulture për t’u marrë me fushën e vet.” – Zija Vukaj, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër
Aktiviteti u ndërthur me poezi të interpretuara nga Merita Smaja. Takimi vijoi me pyetje dhe diskutime mes të pranishmëve, duke krijuar një hapësirë bashkëbisedimi rreth ruajtjes, njohjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gazetare: M. Gjini
/rtsh.al/
KOHA JONË SONDAZH

