Sherr masiv pas ndeshjes Lyon-Fenerbahçe, Guendouzi shkakton kaos me provokime (VIDEO)
Matteo Guendouzi u përfshi në një përleshje masive pas përfundimit të ndeshjes Lyon–Fenerbahçe, pasi festimi i tij provokues pas kualifikimit të skuadrës turke ndezi tensionet me lojtarët, tifozët dhe stafin e klubit francez.
Fenerbahçe siguroi një vend në fazën e këtij sezoni të Champions League pas një tjetër përballjeje të tensionuar ndaj Lyonit. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Turqi, skuadra turke kaloi në avantazh 2-0 në sfidën e kthimit në Francë.
Në qendër të vëmendjes ishte Guendouzi, ish-mesfushori i Arsenalit, i cili nuk e fshehu aspak kënaqësinë për suksesin e Fenerbahçes. Francezi, i cili në të kaluarën ka luajtur për Marseille, rivalët e Lyonit, u përfshi në disa gjeste që zemëruan tifozët vendas.
Sipas raportimeve, Guendouzi kishte bërë edhe gjeste provokuese ndaj tifozëve të Lyonit gjatë nxehjes. Më pas, kur Fenerbahçe shënoi golin e dytë, ai dyshohet se ka përdorur edhe fjalë provokuese ndaj kundërshtarëve. Por tensioni arriti kulmin pas vërshëllimës së fundit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë Guendouzin duke festuar me krahët hapur dhe duke u drejtuar drejt tunelit. Festimi i tij shkaktoi reagimin e menjëhershëm të disa lojtarëve të Lyonit, të cilët iu afruan dhe e shtynë mesfushorin.
Situata u përshkallëzua me shpejtësi. Lojtarë të Fenerbahçes, mes tyre Romelu Lukaku dhe ish-portieri i Manchester Cityt, Ederson, ndërhynë për të mbrojtur shokun e skuadrës.
Në përleshje u përfshinë edhe pjesëtarë të stafit, ndërsa në zonën pranë tunelit u krijua një kaos i plotë. Në disa pamje, Guendouzi shihet i rrethuar nga shokët e skuadrës, ndërsa pjesëtarët e sigurisë përpiqen të ndajnë palët.
Fenerbahçe tashmë e ka siguruar kualifikimin, por skenat e dhunshme pas ndeshjes pritet të tërheqin vëmendjen e UEFA-s dhe mund të sjellin pasoja disiplinore për të përfshirët.

KOHA JONË SONDAZH

